Kapitujt

Ezekieli: 1. Vegimi i “qerres së Zotit”

1

1 Të tridhjetin vit, të katërtit muaj, të pestën ditë të muajit, kur isha ndër të humbur në brigjet e lumit Kobar, u hapën qiejt dhe unë pata vegime hyjnore. 2 Të pestën ditë të muajit të vitit të pestë të mërgimit të Joakinit mbret, 3 fjala e Zotit i qe drejtuar priftit Ezekiel, birit të Buziut, në tokën e kaldenjve, përgjatë lumit Kobar. Aty u ul mbi të dora e Zotit.

Vegimi i “qerres së Zotit”

4 Shikova dhe, ja, një erë shtjelle po vinte nga veriu, re e madhe, zjarr i mbledhur lëmsh, që ndriçonte përreth tij e brenda tij, brenda zjarrit, shkëlqente diçka në përngjasim të qelibarit. 5 Në qendër, diçka në përngjasim të katër gjallesave; dhe, ja, pamja e tyre: kishin pamjen e njeriut! 6 Secili kishte katër faqe e katër krahë. 7 Këmbët i kishin të drejta, kurse shputat e këmbëve të tyre ishin porsi thundërzat e këmbëve të viçit e shkëlqenin porsi bronzi i skuqur flakë. 8 Kishin në të katër anët, nën krahë, duar njeriu. Kishin katër fytyra e katër krahë secili. 9 Krahët e tyre ishin të bashkuar me njëri-tjetrin. Kur ecnin, nuk ktheheshin praptazi, por secili ecte vetëm përpara.

10 Fytyrat e tyre i përngjanin fytyrës së njeriut; të katërtit, në anë të djathtë kishin edhe fytyrën e luanit, në të majtë fytyrën e kaut, e të katërt kishin fytyrën e shqiponjës.

11 Krahët e tyre ishin të shtrirë përpjetë. Secili kishte dy krahë që ndesheshin e dy që ua mbulonin trupin. 12 Secili ecte përpara vetes: ecnin në atë drejtim kah i shtynte shpirti. Kur lëviznin, ecnin vetëm në atë drejtim e nuk ktheheshin prapa.

13 Në mes të gjallesave dukej diçka si gaca të ndezura, porsi vravashka që ecnin në mes të gjallesave. Shkëlqente porsi flaka e zjarrit e nga zjarri dilte rrufeja. 14 Gjallesat shkonin e vinin në përngjasimin e vetëtimës llamburitëse. 15 Ndërsa po i shikoja gjallesat, pashë nga një rrotë mbi tokë përbri secilës gjallesë. 16 Dukja dhe përmbajtja e rrotave është në përngjasim të krisolitit dhe të gjitha ishin të ngjashme. Me trajtë e me punim dukeshin si të ishte njëra rrotë në tjetrën. 17 Mundnin të ecnin në katër drejtime pa pasur nevojë të ktheheshin ndërsa ecnin. 18 Gavejtë e rrethi i tyre kishin lartësi tmerruese; gavejë e rreth ishin plot me sy gjithkund përreth të katërtave. 19 Kur gjallesat ecnin, ecnin edhe rrotat përbri tyre; kur gjallesat ngriheshin nga toka, gjithashtu ngriheshin edhe rrotat. 20 Kahdo Ngado që i shtynte shpirti të ecnin, ecnin, gjithashtu ngriteshin në ajër me urdhrin e tij: sepse shpirti i gjallesave ishte në rrota. 21 Kur ata ato ecnin, ecnin edhe ato, kur ato ndaleshin, ndaleshin edhe ato, kur ata lartësoheshin nga toka, gjithashtu lartësoheshin ato duke i ndjekur ata ato, sepse shpirti i gjallesave ishte në rrota.

22 Përmbi kokat e gjallesave ishte diçka në përngjasim të kupës qiellore, vezulluese porsi kristali dhe shtrihej përmbi kokat e tyre. 23 Nën kupën qiellore krahët e tyre të shtrirë njëri kundrejt tjetrit: secili me dy krahë e mbulonte trupin e vet.

24 E dëgjoja rrahjen e krahëve të tyre: thua se ushtonin ujërat e mëdha, porsi zëri i të Gjithëpushtetshmit. Kur lëviznin, ushtimë e fortë si ushtimë ushtrie. Kur ndaleshin, krahët i lëshonin poshtë. 25 E njëmend, kur dëgjohej një zë mbi kupën qiellore, që ishte përmbi kokat e tyre, zinin vend dhe i lëshonin krahët poshtë.

26 Përmbi kupën qiellore që ishte mbi kokat e tyre, ishte porsi gur i çmueshëm safiri një gjë porsi fron, përmbi këtë gjë që i përngjante fronit, ishte dikush në përngjasim të njeriut, mbi të. 27 Pastaj pashë diçka të ndritshme porsi qelibari, thua se ishte zjarr nga aty që dukej se kishte ijët e përpjetë gjithkund përreth; kurse nga aty që dukej se kishte ijët e poshtë, dukej si zjarr ndriçues gjithkund përreth. 28 Porsi dukja e ylberit kur duket në re ditën e shiut: e rrethonte një pamje e tillë! E tillë m’u paraqit dukja e lavdisë së Zotit. E pashë e rashë me fytyrë përdhe dhe dëgjova një zë që më fliste.

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > Ezekieli > Vegimi i “qerres së Zotit”