Kapitujt

Jeremia: 34. Fati i fundit i Sedecisë

34

1 Fjala që i qe drejtuar Jeremisë prej Zotit, kur Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, e mbarë ushtria e tij, mbarë mbretëritë që ishin nën pushtetin e tij dhe të gjithë popujt luftonin kundër Jerusalemit dhe kundër të gjitha qytezave të tij. Thoshte: 2 Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Shko e i thuaj Sedecisë, mbretit të Judës. Thuaj: Kështu thotë Zoti: Shiko, unë po ia dorëzoj këtë qytet mbretit të Babilonisë. Ai do ta djegë me zjarr. 3 Ti s’i shpëton dot dorës së tij, por do të kapesh e do të zihesh e do t’i dorëzohesh. Sytë e tu do t’i shohin sytë e mbretit të Babilonisë dhe goja e tij do të flasë me gojën tënde dhe do të hysh në Babiloni! 4 Megjithatë, dëgjoje fjalën e Zotit, Sedeci, mbreti i Judës! Kështu të thotë Zoti: S’do të vdesësh nga shpata, 5 por do të vdesësh në paqe. Sikurse u përeruan etërit e tu, mbretërit e mëparshëm, që qenë para teje, ashtu do të digjen edhe për ty dhe do të vajtojnë: “I mjeri unë, Imzot!” Kjo është fjala që e them unë ‑ është fjala e Zotit!

6 Të gjitha këto fjalë ia tha Jeremia profet Sedecisë, mbretit të Judës, në Jerusalem, 7 ndërsa ushtria e mbretit të Babilonit luftonte kundër Jerusalemit e kundër të gjitha qytezave të Judës, që ende bënin qëndresë ‑ kundër Lakisit e kundër Azekës: vetëm këto nga fortesat e Judës bënin qëndresë.

Çlirimi i skllevërve

8 Fjala që i qe drejtuar Jeremisë nga ana e Zotit, pasi mbreti Sedeci bëri besëlidhje me mbarë popullin e Jerusalemit duke u shpallur lirinë: 9 secili duhej ta linte të lirë skllavin e vet e secili skllaven e vet, hebreun e hebrejen, dhe assesi s’do të sundojnë më me ta, d. m. th. me judeun, vëllain e vet.

10 Të gjithë të parët e mbarë populli që kishin marrë pjesë në marrëveshje, morën vesh se duhej ta lëshonte secili të lirë skllavin e vet e skllaven e vet dhe më të mos kishte të drejtë ta mbante në skllavëri: si e morën vesh, i lanë të lirë. 11 Por më vonë, u sollën prapë dhe i morën përsëri skllevërit e skllavet që i kishin liruar dhe i bënë përdhunë t’u jenë skllevër e skllave. 12 Atëherë Jeremisë i qe drejtuar, nga ana e Zotit, kjo fjalë e Zotit:

13 “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë bëra besëlidhje me etërit tuaj atë ditë, kur i nxora nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë, e thashë: 14 ‘Kur të mbushen shtatë vjet, secili le ta lëshojë të lirë vëllanë e vet hebre që t’i jetë shitur; pasi të ketë shërbyer gjashtë vjet, lëshoje të lirë; por baballarët tuaj nuk më dëgjuan e nuk ma vunë veshin. 15 Ju u kthyet sot e bëtë çka është e pëlqyeshme para syve të mi duke shpallur lirinë për çdo të afërm të vet; në Shtëpinë time, mbi të cilën u thirr emri im, në praninë time, bëtë këtë besëlidhje. 16 Por pastaj u sollët dhe e përdhosët emrin tim dhe secili prej jush e robëroi përsëri skllavin e skllaven e vet, që u kishte dhënë lirinë e të jenë zotërues të vetvetes, por ju i robëruat që t’i keni skllevër e skllave!

17 Për këtë arsye kështu thotë Zoti: Ju nuk më dëgjuat që t’ia shpallë secili lirinë vëllait të vet dhe secili të afërmit të vet; ja, pra, edhe unë po e shpall çlirimin tuaj ‑ është fjala e Zotit ‑ e po ia besoj shpatës, urisë e murtajës dhe do t’ju bëj përqeshjen e të gjitha mbretërive të tokës. 18 E njerëzit që e thyen besëlidhjen time dhe nuk i mbajtën fjalët e besëlidhjes, të cilat i pranuan me pëlqim para syve të mi, do të bëj si i bënë viçit që e ndanë në dy pjesë e kaluan ndërmjet dy pjesëve të tij. 19 Prijësit e Judës, prijësit e Jerusalemit, oborrtarët dhe priftërinjtë e mbarë populli i vendit që kaloi ndërmjet pjesëve të viçit, 20 do t’i lëshoj në duart e armiqve të tyre e në duart e atyre që e kërkojnë jetën e tyre. Kufomat e tyre do të jenë ushqim për shpendët e ajrit e për egërsirat e malit. 21 Sedecinë, mbretin e Judës, e princat e tij do t’i lëshoj në duar të armiqve të tyre, në duart e atyre që ua kërkojnë jetën dhe në duart e ushtrive të mbretit të Babilonisë, që tani për tani u larguan prej jush. 22 Ja, unë do të jap urdhër ‑ është fjala e Zotit ‑ do t’i kthej në këtë qytet: do të luftojnë kundër tij, do ta pushtojnë e do t’i fusin zjarr; të shkreta do t’i bëj qytetet e Judës, ku askush nuk do të banojë.”

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > Jeremia > Fati i fundit i Sedecisë