
Kapitujt

Jeremia: 17. Gabimet e Judës në nderimin e Hyjit
171 Mëkati i Judës është gdhendur
me thumba hekuri
me majë diamanti
përmbi dërrasën e zemrës së tyre,
përmbi brirët e lterëve të tyre,
2 që bijtë e tyre t’i kujtojnë lterët e vet
banirët e vet përbri drurëve gjithëherë të njomë
në kodra të larta,
3 në male e në fushë të hapët.
Pasuritë e tua e të gjitha visaret
pre plaçkitjeje do t’i bëj,
lartësitë e tua për shkak të fajeve
të bëra në mbarë vendin tënd.
4 Do të heqësh dorë nga prona jote
që dhuruar ta pata vetë;
skllav do të të bëj të armiqve të tu
në një vend që nuk e njeh,
sepse i dhatë flakë zemërimit tim,
që do të djegë përgjithmonë.
Fjalë urtie
5 Kështu thotë Zoti:
Qoftë mallkuar ai njeri që në njeriun shpreson,
ai që mbështjetjen e vet e ka në njeriun
e zemra e tij largohet prej Zotit.
6 Ai do të jetë porsi marena në shkretëtirë:
nuk sheh kurrë asnjë të mirë,
i shkon ditët në thatësirën e shkretëtirës,
në tokë të kriposur, të pabanueshme.
7 Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin,
Zoti do të jetë shpresa e tij.
8 Ai do të jetë porsi druri
i mbëltuar në breg të ujit,
që kah përroi i lëshon rrënjët
e s’do të trembet kur të vijë zhegu:
gjethi i tij do të jetë i blertë.
Për vit thatësie nuk merakoset,
nuk pushon së dhëni fruta.
9 Më dinake se çdo gjë tjetër është zemra,
e pashërueshme;
kush është ai që mund ta njohë?
10 Unë, Zoti, shqyrtoj zemrën, sprovoj veshkat,
i jap secilit sipas sjelljes së tij,
sipas fryteve të veprave të tij.
11 Shkurtë që i kuan vezët që s’i bëri
është ai që pasurohet me të padrejtë.
Do ta lërë në gjysmën e jetës,
në ditë të fundit i marrë do të jetë.
Shpresa në Tempullin e në Hyjin
12 Fron i lavdishëm, i lartësuar që në fillim,
është Vendi ynë i shenjtë!
13 O Zot, shpresa e Izraelit,
të gjithë ata që të lënë do të turpërohen,
pse e lanë Burimin e ujit të gjallë, Zotin.
Në pluhur do të shkruhen
ata që nga ti largohen.
Lutje hakmarrëse
14 Më shëro, o Zot, e do të shërohem,
më shpëto, o Zot, e do të shpëtoj,
sepse ti je lavdi im!
15 Ja, ata mua më thonë:
‘Ku është fjala e Zotit?
Le të përmbushet!’
16 Kurrë s’t’u vura që të sjellësh të keqen,
s’e dëshiroja ditën e tmerrshme,
Ti e di: çka prej buzëve të mia doli
ishte e drejtë para Teje.
17 Deh, mos më ji shkak tmerrimi,
ti streha ime, në Ditën e ngushticës!
18 Le të turpërohen armiqtë e mi,
e jo unë;
le të tremben ata e jo unë;
Sille mbi ta Ditën e tmerrit,
zhduki me zhdukje të dyfishtë!
Mbajtja e të shtunës
19 Kështu më ka thënë Zoti: “Shko e qëndro te dera e Bijve të popullit, nëpër të cilën hyjnë e dalin mbretërit e Judës edhe në të gjitha dyert e Jerusalemit. 20 Thuaju: Dëgjojeni fjalën e Zotit, mbretërit e Judës e mbarë Juda edhe të gjithë banorët e Jerusalemit, që hyni nëpër këto dyer. 21 Kështu thotë Zoti: Ruajeni veten e mos mbani barrë në ditë të shtunë as mos i shtini nëpër dyer të Jerusalemit. 22 Mos mbartni barrë nga shtëpitë tuaja në ditë të shtunë as mos bëni asnjë punë: shenjtërojeni ditën e shtunë, siç u kam urdhëruar etërve tuaj. 23 Por ata nuk dëgjuan as nuk më vunë vesh, por e ngurën zverkun e vet për të më mos dëgjuar e për të mos e pranuar mësimin. 24 Nëse vërtet do të më dëgjoni ‑ është fjala e Zotit ‑ nëse nuk do të shtieni barrë nëpër dyer të këtij qyteti ditën e shtunë, në qoftë se do ta shenjtëroni ditën e shtunë, duke mos punuar asnjë punë, 25 nëpër dyer të këtij qyteti do të hyjnë ‑ bashkë me ministrat e vet ‑ mbretërit që rrinë në fronin e Davidit, në karroca e në kuaj, ata dhe princat e tyre, judenjtë e banorët e Jerusalemit; ky qytet do të banohet për amshim. 26 Do të vijnë prej qyteteve të Judës, nga rrethi i Jerusalemit, nga toka e Beniaminit, nga Sefela e nga malësitë dhe nga Nagebi e do të sjellin fli shkrumbimi, therore, fli kushtimi, kem dhe do të kushtojnë fli falënderimi në Shtëpinë e Zotit. 27 Por, në qoftë se nuk do të më dëgjoni ta shenjtëroni ditën e shtunë e të mos mbartni barrë e të mos i shtieni nëpër dyer të Jerusalemit ditën e shtunë, atëherë zjarrin do ta ndez në dyert e tij: zjarri do t’i përpijë pallatet e Jerusalemit e më nuk do të fiket.

Kapitujt
