Kapitujt

Ezekieli: 34. Barinjtë e Izraelit

34

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit ”Biri i njeriut, profetizo kundër barinjve të Izraelit, profetizo! Thuaju barinjve: Kështu thotë Zoti Hyj: Mjerë barinjtë e Izraelit, që kullotin vetveten! Vallë, a nuk e kanë për detyrë barinjtë t’i kullotin grigjat? 3 Ju ushqeheni me qumësht, visheni me lesh, pritni berret e majme e grigjën nuk e kullotni! 4 Të ligshtën nuk e përtërini, të sëmurën nuk e shëroni, të thyerën nuk e lidhni, të ndarën nuk e ktheni, të humburën nuk e kërkoni, por zotëroni mbi to me dhunë! 5 Kështu u shpërndanë delet e mia, sepse s’kishin bari. U bënë preja e të gjitha egërsirave të fushës dhe u shpërndanë. 6 Enden delet e mia gjithkund maleve e kodrave të larta, grigjat e mia u shpërndanë gjithkah mbi sipërfaqen e dheut e askush nuk shqetësohet, askush nuk i kërkon!

7 Prandaj, dëgjojeni, o barinj, fjalën e Zotit: 8 Pasha jetën time, thotë Zoti Hyj: pasi grigja ime u bë pre dhe delet e mia ushqim i të gjitha egërsirave të fushës për faj të bariut dhe pse barinjtë e mi nuk e kërkuan grigjën time, por barinjtë kullotnin vetveten e nuk e kullotnin grigjën time, 9 prandaj, o barinj, dëgjojeni fjalën e Zotit! 10 Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë vetë po vij kundër barinjve! Grigjën time do ta kërkoj prej duarve të tyre, më s’do t’i lejoj t’i kullotin delet e mia, kështu barinjtë më s’do ta kullotin vetveten, por do t’i heq delet e mia nga goja e tyre e më nuk do të bëhen ushqimi i tyre!

11 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë vetë do ti kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to. 12 Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do t’i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ. 13 Do t’i nxjerr nga popujt e do t’i bashkoj nga vendet e huaja, do t’i sjell në tokën e tyre, do t’i kullot në bjeshkë të Izraelit, në fushë dhe në të gjitha vendet e banuara. 14 Do t’i kullot në kullota të pasura: kullotat e tyre do të jenë në bjeshkët e larta të Izraelit. Do të mrizojnë në bar të gjelbër, do të kullotin në kullota të shijshme nëpër male të Izraelit! 15 Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vetë do t’i mrizoj ‑ thotë Zoti Hyj. 16 Të humburën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta lidh me kshtalla, të ligshtuarën do ta kërthndez, të majmen e të fortën do ta ruaj: do t’i ruaj me drejtësi.

17 Kurse juve, o grigja ime, kështu ju thotë Zoti Hyj: Unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles, ndërmjet deshve e cjepve. 18 Vallë, a nuk ju mjafton të kullotni në kullota të mira, por doni ta shkelmoni kullotën që ju tepron? A nuk ju mjafton të pini ujë të kulluar por edhe tepricën doni ta turbulloni me këmbët tuaja? 19 Deleve të mia u duhet të hanë barin që ju keni shkelmuar e të pinë ujët që ju keni turbulluar!

20 Prandaj kështu u thotë Zoti atyre: Ja, unë vetë do të gjykoj ndërmjet deles së majme e të ligshtës! 21 Pasi ju i shtytni me bri, me shpatulla e u bini me brirë për t’i dëbuar të ligshtat, deri që edhe i dëboni jashtë, 22 unë do ta shpëtoj grigjën time, më nuk do të bëhet pre, do të gjykoj ndërmjet deles e deles!

23 Do ta ngre për to një bari që t’i kullotë, shërbëtorin tim Davidin: ai do t’i kullotë, ai do të jetë bariu i tyre. 24 Kurse unë Zoti do të jem Hyji i tyre, ndërsa shërbëtori im Davidi do të jetë prijësi në mesin e tyre. E kam thënë vetë, unë Zoti! 25 Unë do të lidh me ta besëlidhjen e paqes e prej mbarë vendit do t’i shfaros të gjitha egërsirat grabitqare. Do të kalojnë jetë të sigurt në male e do të flejnë në pyeje. 26 Do t’i bëj ata dhe krahinat përreth Kodrës sime bekim: do të çoj shi në kohën e përshtatshme: do të jenë shira bekimi! 27 Pemët e fushës do ta japin frytin e vet e toka do t’i japë prodhimet e veta, do të jetojnë në vendin e vet pa farë frike dhe do ta dinë se unë jam Zoti, kur t’i kem thyer vargonjtë e zgjedhës së tyre e t’i kem nxjerrë nga dora e atyre që i sundojnë. 28 Më nuk do të jenë preja e paganëve, s’do t’i hanë egërsirat e malit, por do ta kalojnë jetën në qetësi, pa farë frike. 29 Do të bëj të ngallitë për ta një bimësi e përmendur, më nuk do të sharrojë kush prej tyre nga uria e më nuk do të jenë të pandershëm ndër sy të paganëve. 30 Do ta dinë se unë Zoti, Hyji i tyre, jam me ta dhe ata, shtëpia e Izraelit, janë populli im ‑ thotë Zoti Hyj. 31 Ju, grigja ime, ju jeni grigja e kullotës sime e unë Zoti jam Hyji juaj!” Është fjala e Zotit Hyj!

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > Ezekieli > Barinjtë e Izraelit