
Kapitujt

Ezekieli: 25. Kundër amonitëve
251 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zoti:
2 ”Biri i njeriut, sillu me fytyrë kah amonitët e parafol kundër tyre. 3 Thuaju bijve të Amonit: Dëgjojeni fjalën e Zotit Hyj!
Kështu thotë Zoti Hyj: Pse thatë ‘Mirë e ka!’ për Shenjtëroren time, pse e çnderuan e për tokën e Izraelit, pse e shkretuan e për shtëpinë e Judës, pse i morën skllevër, 4 për këtë arsye unë do të të dorëzoj bijve të lindjes për pronë. Në ty do t’i ngulin banishtat dhe çadrat e veta: ata do t’i hanë frytet e prodhimeve të tua e do ta pinë qumështin tënd. 5 Rabatin do ta bëj kullotë gamilesh e tokën e bijve të Amonit vathë bagëtish e do ta dini se unë jam Zoti.
6 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Pse duartrokite, pse rrahe me këmbë e pse me gjithë shpirt u kënaqe në lidhje me tokën e Izraelit, 7 këndej edhe vetë do ta çoj dorën time kundër teje, do të të bëj pre popujsh, do të ta tres farën ndër popuj, do të të zhduk nga gjiri i popujve, do të të zhduk krejtësisht e atëherë do të shohësh se unë jam Zoti.”
Kundër Moabit
8 Kështu thotë Zoti Hyj:
“Pasi Moabi e Seiri thanë: ‘Ja, pra, shtëpia e Izraelit është si të gjithë popujt’, 9 e mirë, unë do t’ia hap ijën Moabit, unë do ta lë pa qytetet, pa qytete po them të tij në mbarë vendin e tij, që janë stolia e vendit: pa Betiesimotin, pa Baalmeonin, pa Kariataimin. 10 Do ta lë në duar të bijve të Lindjes për pronë së bashku me amonitët, që bijtë e Amonit të mos përmenden më ndër popuj. 11 Kështu do ta kryej gjyqin mbi Moabin e do ta dinë se unë jam Zoti.”
Kundër edomitëve
12 Kështu thotë Zoti Hyj:
“Pasi Idumeja u hakmor kundër shtëpisë së Judës e me këtë hakmarrje mëkatoi rëndë duke kërkuar prej tyre hakmarrje, 13 prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Do ta shtrij dorën time kundër Idumesë dhe do të zhduk prej saj njerëz e kafshë. Do ta kthej në shkretëtirë: nga Temani deri në Dedan të gjithë do të bien nga shpata. 14 Kështu do të hakmerrem mbi Idumenë me anë të dorës së popullit tim Izraelit. Ata do të sillen me Edomin sipas furisë e zemërimit tim e do ta njohin hakmarrjen time ‑ thotë Zoti Hyj.”
Kundër filistenjve
15 Kështu thotë Zoti Hyj:
“Pasi filistinët vepruan me hakmarrje dhe u hakmorën me tërbim duke vrarë dhe e çuan në vend armiqësinë e përhershme, 16 prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po e çoj dorën time kundër palestinezëve: do t’i vras ceretenjtë, do t’i zhduk të gjitha tepricat e bregut të detit! 17 Kështu do të bëj kundër tyre një hakmarrje emnesë duke i ndëshkuar me tërbim e, kur ta kem kryer hakmarrjen time, atëherë do ta dinë se unë jam Zoti.”

Kapitujt
