
Kapitujt

Ezekieli: 7. Mbarimi i afërt
71 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 2 ”Ti, biri i njeriut, thuaj: Kështu i thotë Zoti Hyj tokës së Izraelit: E pat! Erdhi fundi mbi katër anët e botës! 3 Tashti edhe ty të erdhi fundi: furinë time mbi ty do ta zbraz, do të të dënoj sipas sjelljeve të tua, mbi ty do t’i hedh të gjitha turpësitë e tua. 4 Syri im s’do të ketë dhimbje për ty, nuk do të ketë mëshirë, por do të kërkoj përgjegjësi për sjelljen tënde e veprat e neveritshme të tuat do të mbesin në ty dhe ju do ta dini se unë jam Zoti.
5 Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, po vjen një fatkeqësi mbi fatkeqësi! 6 Po vjen sosja, erdhi sosja! Rri zgjuar kundër teje, ja ia behu ! 7 Të erdhi e zezëdita, o banuesi i tokës! Erdhi koha, afër është dita e trishtimit e jo e haresë ndër male! 8 Tashti, edhe pak, e do ta zbraz mbi ty furinë time, do ta çoj në vend zemërimit tim kundër teje, do të të dënoj sipas sjelljeve të tua e mbi ty do t’i hedh të gjitha fajësitë e tua! 9 Syri im s’do të ketë dhimbje as s’do të kem mëshirë, madje do të kërkoj llogari për sjelljet e tua e turpësitë e tua do të mbeten në ty e do ta dini se unë jam Zoti që godet.
10 Ja, dita! Ja po vjen dita! U nis e zezëdita, lulëzoi padrejtësia, mbiu krenaria! 11 Në këmbë është dhuna për ta ndëshkuar paudhësinë: asgjë s’mbetet prej tyre, asgjë nga shkëlqimi i tyre, asgjë prej bubullimës së tyre, ndër ta më s’do të ketë qetësi! 12 Erdhi koha, u afrua dita: kush blen, të mos gëzohet, kush shet, të mos ankohet, sepse hidhërimi po zbrazet mbi mbarë madhështinë e saj. 13 Sepse, ai që shiti, s’do të rikthejë më çka shiti derisa të jetë gjallë, sepse pamja e madhështisë së saj nuk do të hiqet dalë dhe askush s’do ta bëjë më të fortë jetën e vet në saje të fajësisë.
14 Bini borisë, le të jetë gjithçka gati, por s’ka kush të dalë në luftë: sepse mbi kokë i rri zemërimi im mbarë madhështisë së saj!
Mëkatet e Izraelit
15 Përjashta ‑ shpata, përbrenda ‑ murtaja e uria! Kush është në fushë, do të vdesë nga shpata, kush është në qytet, do ta përpijë uria e murtaja. 16 Prej tyre do të shpëtojnë ata që do të ikin, por ata do të jenë në male porsi pëllumbat e luginave në pikëllim: të gjithë do të sharrojnë në fajësinë e vet.
17 Të gjitha duart pa fuqi do të mbesin,
të gjithë gjunjët s’do të bajnë më se ujët.
18 Me grathore të gjithë do të ngjeshen,
tmerri të gjithë do t’i pushtojë.
Do të bjerë turpi mbi çdo fytyrë,
do të shoget koka e të gjithëve.
19 Argjendin e vet në udhë do ta hedhin,
ndotje ari do t’u bëhet.
S’do t’i shpëtojnë argjendi e ari i tyre
ditën e zemërimit të Zotit,
me të urinë nuk do ta shuajnë,
barkun e vet nuk do ta mbushin,
pse u bë shkaku i fajësisë së tyre.
20 Argjendet e tyre të bukura
i shndërruan në turpësi:
punuan me to idhujt e vet,
pikturat e veta të ndyra,
ja, përse në iri ua ktheva.
21 Do ta jap të huajve për plaçkë,
të patenzonëve të tokës për pre,
ata do ta përdhunojnë.
22 Larg prej tyre faqen do ta kthej,
do të dhunohet visari im i fshehtë;
plaçkitësit në të do të hyjnë
e do ta përdhujnë;
23 vargje me të do të punojnë,
sepse vendi është plot me vrasje,
qyteti është plot fajësi.
24 Lumin e popujve në të do të sjell,
shtëpitë e tyre do t’i zotërojnë,
do ta zhduk madhështinë e forcës së tyre,
shenjtëroret do t’ua dhunojnë.
25 Kur të vijë ngushtica do të kërkojnë paqen,
por paqe nuk do të ketë!
26 Fatkeqësi mbi fakteqësi do të vijë,
kushtrimi s’do të presë kushtrimin;
prej profetit do të kërkojnë përgjigje,
priftërinjtë mësimin do ta harrojnë
edhe pleqve do t’u mungojë këshilla.
27 Mbreti do të jetë në zi,
princin tmerri do ta mb’lojë,
popullit vendas duart do t’i dridhen;
me ta do të sillem sipas sjelljes së tyre,
do t’i gjykoj sipas gjyqeve të tyre
e ta dinë se unë jam Zoti.”

Kapitujt
