Kapitujt

1 i Kronikave: 16. Shërbesa e levitëve para Arkës

16

1 Kështu e futën Arkën e Hyjit dhe e vendosën në mes të tendës që e kishte ngrehur e bërë gati Davidi për të. Pastaj kushtuan fli shkrumbimi dhe pajtimi para Hyjit. 2 Kur Davidi i dha fund kushtimit të flive të shkrumbimit dhe të pajtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit. 3 Pastaj u ndau secilit prej izraelitëve ‑ trim e grua ‑ nga një bukë rrumbullake, një copë mish e nga një ëmbëlsirë rrushi të thatë.

Shërbesa e levitëve para Arkës

4 Davidi i caktoi disa levitë në shërbesë para Arkës së Zotit që t’i përkujtojnë veprat e Zotit dhe ta lavdërojnë e ta madhërojnë Zotin, Hyjin e Izraelit: 5 Asafin për prijës, Zakarinë, i dyti i tij, pastaj Jahielin, Semiramotin, Jehielin, Matatinë, Eliabin, Banajën, Obededomin e Jehielin me harpa e me cetra. Asafi u binte cimbaleve, 6 kurse priftërinjtë Banaja dhe Jazieli u binin vazhdimisht borive para Arkës së Besëlidhjes së Hyjit.

7 Po atë ditë Davidi, për herë të parë e ngarkoi me detyrë Asafin dhe vëllezërit e tij ta lavdërojnë Zotin me këtë këngë lavdie:

8 “Lëvdojeni Zotin, thirreni në ndihmë Emrin e tij,

shpallini ndër popuj veprat e madhërishme të tijat!

9 Këndoni në nder të tij, bini veglave muzikore,

dhe tregoni të gjitha mrekullitë e tija!

10 Lëvdojeni Emrin e tij të shenjtë,

le të galdojnë zemrat e atyre që e kërkojnë Zotin!

11 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,

kërkojeni vazhdimisht fytyrën e tij!

12 Përkujtoni mrekullitë që i ka bërë,

punët e mëdha dhe gjyqet e gojës së tij.

13 Fara e Izraelit shërbëtorët e tij,

bijtë e Jakobit të zgjedhurit e tij.

14 Ai është Zoti, Hyji ynë,

ligj mbi mbarë tokën janë gjyqet e tija.

15 Përkujtojeni vazhdimisht Besëlidhjen e tij,

‑ fjalë urdhri për mijëra brezni‑;

16 Paktin që bëri me Abrahamin,

edhe premtimin që ia bëri Izakut.

17 E caktoi ligj për Jakobin,

e bëri Besëlidhje të amshuar për Izraelin,

18 kur tha: ‘Ty do ta jap tokën e Kanaanit,

për pjesë të pronës tuaj’.

19 Kur ende ishin pak në numër,

pak dhe ardhacakë në të.

20 E endeshin prej një populli në tjetrin,

prej një mbretërie në një popull tjetër.

21 Nuk la askënd t’u bënte farë dëmi,

për shkak të tyre i ndëshkoi mbretërit:

22 ‘Mos i prekni të shuguruarit e mi,

mos u bëni keq profetëve të mi’.

23 Mbarë toka le t’i këndojë Zotit,

shpalleni çdo ditë shpëtimin e tij!

24 Tregojuni paganëve për lavdinë e tij,

mbarë popujve mrekullitë e tija.

25 Sepse i madh është Zoti e tejet i lavdishëm,

më i tmerrshëm se të gjithë zotat!

26 Asgjë, s`janë asgjë zotat e paganëve!

Qiejt vetëm Zoti i krijoi!

27 Para tij është shkëlqimi e lavdia,

në Tempullin e tij pushteti e bukuria.

28 Jepini Zotit, o familjet e popujve,

jepini Zotit nder e pushtet!

29 Jepini Zotit lavdinë e Emrit të tij,

kushtoni fli dhe dilni para tij,

adhurojeni Zotin me të veshura të shenjta.

30 Le të dridhet para tij mbarë toka,

sepse ai e forcoi rruzullin të mos tundet!

31 Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë,

Thoni ndër paganë: “Zoti mbretëron”!

32 Le të buçasë deti me çka ka në të,

le të gëzojnë fushat me çka kanë ato.

33 Le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve

para Zotit,

sepse erdhi për ta gjykuar tokën.

34 Lëvdojeni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e amshueshme është dashuria e tij!

35 Thoni: “Na shpëto, o Hyj, Shëlbuesi ynë,

na bashko e na shpëto prej popujve paganë,

që ta lavdërojmë Emrin tënd të shenjtë

e të kënaqemi në këngët e tua!

36 Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit,

prej amshimit e deri në amshim’”!

Mbarë populli brohoriti: “Amen!” dhe “Lavdi Zotit!”.

37 Atëherë Davidi e la aty, pranë Arkës së Besëlidhjes së Zotit, Asafin e vëllezërit e tij që vazhdimisht të shërbesojnë pranë Arkës sipas ritit të secilës ditë. 38 Kurse Obededomin dhe vëllezërit e tij, gjashtëdhjetë e tetë vetë, Obededomin, birin e Iditunit, dhe Hozën i bëri dertarë. 39 Kurse priftin Sadok dhe vëllezërit e tij priftërinj, i la pranë Banesës së Zotit në kodrën që është në Gabaon, 40 që vazhdimisht t’i kushtojnë Zotit mbi lterin e shkrumbimit në mëngjes e në mbrëmje, sipas të gjitha rregullave që janë të shkruara në Ligjin e Zotit, që ia urdhëroi Izraelit. 41 Me ta e la edhe Hemanin, Iditunin dhe të zgjedhurit e tjerë që qenë përmendur me emra për t’i dhënë nderim Zotit: “Sepse e amshueshme është dashuria e tij”. 42 Me ta ishin edhe Hemani e Idituni që u binin borive, cimbaleve dhe të gjitha veglave muzikore për ta përcjellë këngën e lavdit për nder të Hyjit: kurse bijtë e Iditunit i bëri derëtarë.

43 Atëherë u shpërnda mbarë populli, secili shkoi në shtëpi të vet, kurse Davidi u kthye për ta bekuar familjen e vet.

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > 1 i Kronikave > Shërbesa e levitëve para Arkës