
Kapitujt

Jobi: 35. Hyji nuk është i paanshëm në fatet e njerëzve
351 Eliuhi vazhdoi bisedën e tha:
2 “I drejtë të duket, vallë, mendimi yt
kur pohon: ‘Para Hyjit kam arsye’.
3 Sepse the: ‘Çka të bëra ty?
Çka të kam bërë nëse kam mëkatuar?’
4 I hedh poshtë bisedat tua
e me ty dhe miqtë e tu.
5 Vështro qiellin e mirë shikoje,
shikoji retë sa lart mbi ty!
6 Nëse mëkaton çka thua i bëre?
Nëse i shumëzon fajet e tua,
çfarë mund të bësh, thua, kundër tij?
7 Po edhe drejtë në qoftë se vepron
çfarë të thotë mendja atij i dhuron?
Ç’dhunti merr prej dorës sate?
8 Paudhësia jote një si ti e dëmton,
mirësia jote një si ti e ndihmon!
9 Lëshohet britmë prej peshës së shtypësve,
kushtrim qitet prej dhunës së tiranit.
10 Por kush s’tha: ‘Ku është Hyji, Krijuesi im,
që e mbush natën me këngë gëzimi,
11 që na bën më të urtë se kafshët,
më të ditur se shpendët e ajrit?’
12 Atëherë klithët, por Ai s’përgjigjet.
Prej krenarisë së të panjerëzishmëve.
13 Se ç’kotësi nëse vjen e thuhet:
‘Hyji s’dëgjon, Zotynë s’kujdeset’.
14 Aq më tepër kur thua: ‘S’sheh.
Para tij është çështja e presë’.
15 Gjithashtu edhe kur thua:
‘Hidhërimi i tij nuk sjell ndëshkime,
kurrë s’hakmerret për paudhësi’.
16 Kot së koti me buzë luan Jobi,
nga padija i shumëzon fjalët”!

Kapitujt
