Kapitujt

Jobi: 33. Guximi i tepruar i Jobit

33

1 “Dëgjo, Job, çfarë dua të të them,

vëru veshin fjalëve të mia!

2 Ja, e çela gojën time,

le të më flasë gjuha në grykën time!

3 Biseda ime rrjedh nga zemra e drejtë,

gjyq të pastër do të thonë buzët e mia.

4 Shpirti i Hyjit më ka krijuar,

Fryma e të Lumit jetë më dha.

5 Nëse mundesh, deh, më përgjigj,

bëhu gati e ktheu nga unë!

6 Ja, si ti jam para Hyjit,

nxjerrë nga e njëjta baltë si ti,

7 prandaj frikë s’dua të kesh prej meje,

as të të rëndoj në mend s’e kam.

8 Pra, ti the ‑ me veshë të dëgjova ‑

mirë i ndieva fjalët që fole:

9 ‘Jam i pastër, faj nuk kam,

i patëmetë e pa farë mëkati.

10 Halë në përpeq i jam unë atij,

prandaj më mban për armik të vetin.

11 Këmbët e mia në pranga i futi

dhe e përcjell çdo hap timin.’

12 Këtu është faji, unë të them

se njeriu me Hyj’n s’mund të matet!

13 Si, me Të ti do të pleqërohesh,

pse në fjalë të tua gjegje s’jep?

14 Sepse Hyji flet një herë,

të njëjtën gjë nuk e përsërit.

15 Në ëndërr, në vëgime nate

mbi vdekatarë kur gjumi bie,

kur mbi shtroja ëmbël flejnë,

16 ua hap veshët vdekatarëve

dhe i tremb në vëgime nate

17 për ta shmangur vdekatarin

prej punësh të liga,

prej krenarisë për ta çliruar.

18 E shpirtin ia ruan nga gropa,

jetën prej udhës në Nëntokë.

19 E qorton në shtrat me dhimbje,

me dridhje eshtrash të papushim,

20 që der buka në jetë i ndyhet,

më e shijshmja haje shpirtit të tij,

21 kur ndër sy i shkrihet mishi,

kur kockat nën lëkurë i shihen,

22 kur i afrohet gropës së shkatërrimit,

jeta e tij shtëpisë së vdekatarëve.

23 Nëse afër i ndodh një Engjëll,

një Shtjellues ndër një mijë,

ta kujtojë ç’ka për detyrë,

24 për të, mëshirë të ketë dhe të lutet:

‘Shpëtoje, Zot, të mos zbresë në gropë,

e gjeta për të shpërblimin’,

25 trupi atij do t’i përtërihet

më i freskët se në rini,

do të kthehet në ditët e djalërisë!

26 Hyut i lutet e Ai e fal,

me kënaqësi në f’tyrë sytë ia prir,

e ia kthen njeriut drejtësinë.

27 Plot hare k’ndon para njerëzve:

‘Mëkatova, të drejtën e shkela,

por Hyji s’më ndëshkoi për mëkate.

28 Ma shpëtoi shpirtin prej pështjerrës,

qe, i gjallë, dritës i gëzohem!’

29 Ja, kështu Hyji vepron

me njeriun dy, tri herë,

30 prej gropës shpirtin për t’ia ruajtur,

për t’ia ndritur me dritë të të gjallëve.

31 Kujdes, Job, mirë më dëgjo:

hesht se kam ende për të folur.

32 Por nëse ke gjë ti për të më thënë,

më përgjigj, krejt lirisht fol,

sepse më pëlqen të dalësh i drejtë.

33 Por nëse s’ke mua më dëgjo,

hesht dhe unë do të të mësoj urtinë”.

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > Jobi > Guximi i tepruar i Jobit