Kapitujt

Jobi: 10. Jeta ime shpirtit tim m’i velet

10

1 Jeta ime shpirtit tim m’i velet,

shfrim të lirë ankimit do t’i jap,

do të flas në mjerim të zemrës sime.

2 I them Hyjit: ‘Mos më dëno!’

Më trego pse kështu po më gjykon?’

3 Punë e mirë të duket që më ndrydh,

përbuz veprën e duarve të tua

e u përkrah të mbrapshtëve synimin?

4 A thua sytë të mishtë i ke

e sheh ti siç shohin njerëzit?

5 Ditët e tua, vallë, si ditët e njerëzve,

vjetët e tu si koha e njerëzve,

6 fajësinë time që ta kërkosh

edhe mëkatin të ma shqyrtosh?

7 Ti e di se s’kam bërë asnjë të keqe

e prapë askush s’më shpëton nga dora jote.

8 Duart e tua, pra, mua më përftuan,

duart e tua më trajtuan, më krijuan,

pse papritmas tani po më shkatërron?

9 Të bie në mend: si baltën më punove

dhe përsëri në pluhur do të më kthesh.

10 Vallë ti vetë a nuk më mbole si qumështin

e nuk më ngjize si dorën e djathit?

11 Vetë më veshe me lëkurë e me mish,

më gërshetove me eshtra e me dej.

12 Ti më dhurove jetën edhe mëshirën,

kujdesi yt ma ruajti shpirtin.

13 Megjithatë këtë e fshehje në zemrën tënde,

e di se këtë e kishe për qëllim:

14 a mos mëkatoj të më vëresh me shumë kujdes

e s’lejon për mëkate të mos ndëshkohem.

15 I mjeri unë nëse jam fajtor!

Po edhe i drejtë në qofsha,

kokën të lartësoj unë nuk guxoj

‑ nga mjerimi e turpi i mbuluar!

16 Në qoftë se mburrem, më kap si klysh luani:

përsëri veten e madhëron mbi mua.

17 Dëshmues të ri sjell kundër meje,

ndaj meje e shton hidhërimin,

vuajtje të reja vazhdojnë mbi mua të sulen.

18 Përse më nxore nga krah’rori i nënës?

Të isha zhdukur, njeri të mos më ketë parë!

19 Do të kisha qenë porsi të mos isha,

nga kraharori i kondisur në varr!

20 Janë të shkurtëra ditët e jetës sime!

Më lejo, pra, edhe pak të gëzohem

21 derisa të nisem për udhë që s’ka kthim,

në dheun e territ e të hijes së vdekjes,

22 në tokë errësire edhe krejt të errët,

në mbretëri të vdekjes ku s’ka asnjë rregull,

ku banon tmerri i përhershëm.”

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > Jobi > Jeta ime shpirtit tim m’i velet