
Kapitujt

Jobi: 3. Jobi e mallkon ditën e lindjes së vet
31 Dikur Jobi e hapi gojën dhe e mallkoi ditën e lindjes së vet. 2 Foli e tha:
3 U shoftë dita kur unë leva
edhe nata kur u tha:
“Një njeri sonte u ngjiz”!
4 Ajo ditë errësirë u bëftë,
nga lart Hyji mos e paftë,
drita e diellit mos e ndrittë!
5 E errësoftë muzgu dhe hija e vdekjes,
errësira mbi të mbretëroftë,
me hidhërim ajo u mbuloftë!
6 Humnera e errtë atë natë e marrtë,
ndër ditë të vitit mos u njehtë,
as ndër muaj mos u numëroftë!
7 Ajo natë mbettë qyqevetëm,
kurrëfarë lavdi për të mos u thëntë!
8 E mallkoftë kush e mallkon ditën,
kush është i zoti ta zgjojë Lugatin!
9 U errësofshin yjet e muzgut të saj;
e prittë dritën e mos i daltë,
mos i paftë qerpikët e agimit,
10 që s’ma mbylli kraharorin e nënës
të mos shikoja me sytë e mi dhimbjet!
11 Përse s’vdiqa brenda në krahëror?
Përse s’vdiqa porsa linda?
12 Përse më mori nëna në prehër?
Përse mëkuar qeshë nga gjinjtë?
13 Tani vetë në gjumë do të pushoja,
i qetë do të flija në gjumë të përhershëm
14 me mbretër e princa të dheut
që në shkretëtirë ndërtojnë varreza,
15 o me princa me ar të pasur,
me argjend që i mbushin shtëpitë.
16 Nuk do të isha si deshtaku,
si i ngjizuri që dritë s’pa.
17 Atje poshtë s’çojnë krye mëkatarët,
Atje poshtë pushim gjejnë të këputurit.
18 Skllevërit atje në paqe prehen,
strumbullari i rojës s’i ngacmon.
19 Atje është i vogli e i madhi;
skllavi është i lirë nga i zoti.
20 Pse i mjeri të dalë në dritë?
Pse shpirtathti ndopak të jetojë?
21 Kush pret vdekjen e s’i vjen,
që e kërkon më shumë se arin,
22 që me shpirt vdekjes i gëzohet,
që në varrezë e pret gëzimin?
23 Njeriu që nuk ka rrugëdalje,
të cilit Zoti ia zë shtigjet.
24 Për ushqim kam gjëmët e mia,
ujë vërshimi klithma ime.
25 Çka unë droja, ajo më gjeti,
ç’kisha frikë pikërisht ajo më ndodhi.
26 S’kam qetësi as paqe në jetë,
dhembjet më mbysin, s’më lanë pushim!

Kapitujt
