Kapitujt

Dalja: 1. Përparimi i hebrenjve në Egjipt

1

 1 Këta janë emrat e bijve të Izraelit, që, bashkë me Jakobin, hynë në Egjipt, secili me familjen e vet:

2 Rubeni, Simoni, Levi e Juda,

3 Isahari, Zabuloni e Beniamini,

4 Dani, Neftaliu, Gadi e Aseri.

5 Të gjithë pasardhësit e Jakobit ishin së

bashku shtatëdhjetë frymë.

Jozefi ishte që më parë në Egjipt.

6 Jozefi vdiq. Vdiqën edhe të gjithë vëllezërit e tij dhe mbarë ajo brezni. 7 Bijtë e Izraelit u rritën, u shtuan, u shumuan, u forcuan për së tepërmi dhe e mbushën dheun.

Shtypja e hebrenjve

8 Atëherë u ngrit mbi Egjipt një mbret i ri, i cili nuk e kishte njohur Jozefin. 9 Ky i tha popullit të vet: “Ja, populli i Izraelit u shumua fort dhe u bë më i fuqishëm se ne! 10 Të marrim, pra, ndaj tij masa të mjaftueshme për të bërë që të mos shumohet; ndryshe, në rast lufte kundër nesh, do të bashkohet me armiqtë tanë, dhe, pasi të na mundin, do të dalin nga vendi”. 11 Prandaj vuri mbi ta kryepunëtorë, që t’i shtypnin me punë të rënda. Ata ndërtuan për faraonin qytetet‑depo: Pitomin dhe Ramsesin. 12 Por, sa më fort që i shtypnin, aq më tepër rriteshin dhe shtoheshin përtej çdo mase. 13 Egjiptianët filluan t’i kenë frikë bijtë e Izraelit, këndej nisën t’i mundojnë pa mëshirë 14 dhe ua bënë jetën e hidhur duke i shtërnguar të punojnë punët e rënda, siç janë llaçi e punimi i tullave edhe me çdo vepër tjetër skllavërie me të cilën ua bënin jetën ngjak.

15 Pastaj mbreti i Egjiptit i thirri mamitë e hebrenjve, prej të cilave njëra quhej Sefra e tjetra Pua, 16 dhe iu urdhëroi: “Kur t’u shërbeni grave të hebrenjve në kohën e lindjes, në qoftë se do të jetë fëmija mashkull, vriteni, nëse është femër, lëreni”! 17 Porse mamitë e druanin Hyjin dhe nuk bënë si u urdhëroi mbreti i egjiptianëve, por i ruanin në jetë edhe fëmijët meshkuj. 18 Mbreti i thirri dhe u tha: “Çka po bëni kështu? Ju po i ruani djemtë!” 19 Ato përgjigjën: “Gratë hebrenje nuk janë porsi gratë egjiptiane. Ato janë të forta dhe, para se ne të arrijmë, ato lindin”. 20 Hyji i bekoi mamitë dhe populli u rrit dhe u forcua për së tepërmi. 21 Dhe, pasi mamitë e patën frikën e Hyjit, Hyji ua mbushi shtëpinë me trashëgimtarë.

22 Për këtë arsye faraoni dha urdhër dhe i tha mbarë popullit të vet: “Çka të lindin mashkuj, hidhni në lumë, kurse femrat lini gjallë”!

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > Dalja > Përparimi i hebrenjve në Egjipt