Kapitujt

Dalja: 2. Lindja e Moisiut

2

 1 Një burrë prej familjes së Levit shkoi e mori për grua një nga fisi i vet. 2 Ajo ngjizi dhe lindi djalë. E pa se fëmija ishte i bukur dhe e fshehi për tre muaj. 3 Pasi s’mundi ta mbante më të fshehur, mori një shportë papirusi, e leu me bitum e me peshkve, brenda e futi fëmijën dhe e la në kallamishte, në breg të lumit. 4 Motra e fëmijës rrinte dhe vërente prej së largu çka do të ndodhë.

5 Dhe ja, bija e faraonit erdhi dhe hyri të lahet në lumë, ndërsa shërbëtoret e saja shëtisnin bregut të lumit. Bija e faraonit, kur e pa shportën në kallamishte, e dërgoi shërbëtoren e vet për ta sjellë. 6 Kur e hapi, pa në të një djalë që po qante. Pati dhimbje për të dhe tha: “Qenka një fëmijë hebrenjsh”! 7 Atëherë i tha motra e fëmijës: “A të shkoj e ta thërras një grua hebrenje që të mund ta ushqejë foshnjën”? 8 iu përgjigj: “Shko”! Vajza u lëshua vrap dhe e thirri t’ëmën e foshnjës. 9 Kësaj bija e faraonit i tha: “Merre këtë foshnjë dhe ma ushqe! Unë do të të paguaj”! Gruaja e mori fëmijën, e ushqeu e, kur u rrit, ia dorëzoi bijës së faraonit. 10 Kjo ia ngjiti emrin Moisi. Tha: “Sepse e nxorra prej ujit”.

Moisiu ikën në Madian

11 Ndër ato ditë, Moisiu, si u rrit, shkoi te vëllezërit e vet. Pa se si po vuanin e pa edhe një egjiptian duke e rrahur një hebre ‑ prej vëllezërve të tij. 12 Pasi shikoi këndej e andej e nuk pa kë, e vrau egjiptianin dhe e fshehi në rërë. 13 Doli të nesërmen dhe i pa dy hebrenj që po grindeshin. I tha atij që po e rrihte shokun: “Përse po e rrah të afërmin tënd”? 14 Ai iu përgjigj: “Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? A mos po do të më vrasësh, siç e vrave egjiptianin”?

Moisiun e kapi frika dhe tha: “Po si doli kjo gjë në dritë”?

15 Kur i shkoi kjo ngjarje në vesh faraonit, ai deshi ta vrasë Moisiun. Moisiu iku prej tij dhe shkoi në dheun e Madianit e u ndal të pushojë përbri një pusi.

16 Tashti, prifti i Madianit kishte shtatë vajza. Këto erdhën të nxjerrin ujë. Këto i mbushën lugjet me ujë e donin t’u jipnin ujë grigjave të t’et. 17 Por arritën barinjtë dhe i dëbuan ato. Mirëpo, Moisiu u ngrit, i mbrojti vajzat dhe u dha ujë deleve të tyre. 18 Këto u kthyen tek i ati, Ragueli dhe ai u tha: “Përse u kthyet më shpejt se zakonisht”? 19 Ato përgjigjën: “Një burrë egjiptian na shpëtoi prej barinjve. Për më tepër, nxori ujë për ne dhe u dha edhe berreve tona”. 20 Por ai u tha: “Ku është ai njeri? Përse e latë të shkojë? Thirreni të hajë bukë”! 21 Kështu Moisiu pranoi të jetojë tek ai njeri dhe e mori për grua Seforën, bijën e tij. 22 Ajo i lindi një djalë, të cilin e quajti Gersam. Tha: “Jam i ardhur në dhe të huaj”!

THIRRJA E MOISIUT

Hyjit i bie ndër mend për Izraelin

23 Mirëpo, pas një kohe të gjatë, vdiq mbreti i Egjiptit. Izraelitët ende dënesnin në skllavëri. Klithnin të mjerët prej vuajtjeve të robërisë, dhe klithjet e tyre për ndihmë arritën te Hyji. 24 Hyji i dëgjoi klithjet e tyre dhe iu kujtua besëlidhja që e lidhi me Abrahamin, me Izakun e me Jakobin. 25 Zoti i pa izraelitët dhe u kujdesua për ta. Ai iu dëftua atyre.

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > Dalja > Lindja e Moisiut