
Kapitujt

1 i Samuelit: 31. Lufta e Gjelboesë. Vdekja e Saulit
311 Filistenjtë filluan luftën kundër izraelitëve. Izraelitët morën ikën para filistenjve dhe mbetën të vrarë në malin Gjelboé.
2 Filistenjtë u sulën kundër Saulit e bijve të tij dhe vranë Jonatanin, Abinadabin dhe Melkisuen, të bijtë e Saulit.
3 Atëherë tërë pesha e luftës u drejtua kundër Saulit. E morën në shënjestër shigjetarët dhe e plagosën rëndë.
4 Atëherë Sauli i tha armëmbajtësit të vet: “Nxirre shpatën tënde e më godit që të mos vijnë këta parrethprerë e të më shpojnë me heshtë e të luajnë me mua.” Por armëmbajtësi i tij nuk deshi. Ishte tmerruar për së tepërmi. Atëherë Sauli e kapi shpatën dhe ra vetë me turr mbi të. 5 Kur e pa këtë gjë armëmbajtësi i tij, d. m. th. se kishte vdekur Sauli, edhe ai u turr mbi shpatën e vet dhe vdiq bashkë me të.
6 Vdiqën, pra, po atë ditë Sauli e tre bijtë e tij, armëmbajtësi i tij dhe të gjithë njerëzit e tij. 7 Duke parë se u thye Izraeli, se mbeti i vrarë Sauli me tre djemtë e vet, të gjithë izraelitët që ishin përtej luginës dhe ata që ishin përtej Jordanit, i lëshuan qytetet e veta dhe ikën. Erdhën filistenjtë dhe ngulën në to.
8 Të nesërmen erdhën filistenjtë për t’i plaçkitur të vrarët dhe e gjetën Saulin të shtrirë përtokë me tre të bijtë në malin Gjelboé. 9 Saulit ia prenë kokën, i morën armët dhe i shëtitën rreth e rreth nëpër tokën e filistenjve për t’ua kumtuar sihariqin idhujve dhe popullit filiste. 10 Armët e tija i vendosën në tempullin e Astarotës, kurse trupin e tij e varën në murin e Betsanit.
11 Kur e morën vesh banorët e Jabesit të Galaadit ç’i kishin bërë filistenjtë Saulit, 12 u ngritën të gjithë burrat e zgjedhur, duke bërë rrugë gjithë natën, shkuan e morën trupin e Saulit dhe kufomat e bijve të tij nga muri i Betsanit. I prunë në Jabes dhe i dogjën aty. 13 I morën, pastaj, eshtrat e tyre dhe i rrëmuan nën marenë, në Jabes dhe agjëruan shtatë ditë.

Kapitujt
