
Kapitujt

Jozuehu: 10. Pesë mbretër fillojnë luftën kundër Gabaonit
101 Kur mori vesh Adonisedeku, mbreti i Jerusalemit, se Jozuehu e kishte shkatërruar Hajin ‑ siç ia kishte bërë Jerikut dhe mbretit të tij, po ashtu ia bëri edhe Hajit e mbretit të tij ‑ dhe se gabaonasit kishin bërë paqe me izraelitët dhe tashmë ishin bashkuar me ta, 2 e kapi tmerr i madh. E njëmend, Gabaoni ishte qytet i madh, si një ndër qytetet mbretërore, më i madh se Haji, dhe burrat e tij trima shumë të fortë, 3 prandaj Adonisedeku, mbreti i Jerusalemit, çoi lajmëtarë tek Ohami, mbreti i Hebronit, te Farami, mbreti i Jerimotit, tek Jafjai, mbreti i Lakisit dhe te Dabiri, mbreti i Eglonit. U tha: 4 ”Ejani tek unë e më ndihmoni ta shpartallojmë Gabaonin, sepse bëri paqe me Jozuehun dhe me izraelitët. 5 Si u bashkuan, pra, pesë mbretërit amorrenj ‑ mbreti i Jerusalemit, mbreti i Hebronit, mbreti i Jerimotit, mbreti i Lakisit, mbreti i Eglonit u ngjitën së bashku me ushtritë e tyre, ngulën fushimin përballë Gabaonit për ta luftuar.
Jozuehu i vjen në ndihmë Gabaonit
6 Tashti gabaonasit dërguan tek Jozuehu, që tani gjendej në ja pranë Galgalës, dhe i thanë: “Mos hiq dorë t’i ndihmosh shërbëtorët e tu! Hiq e eja sa më parë, na shpëto e na eja në ndihmë: sepse janë bashkuar kundër nesh të gjithë mbretërit amorenj që banojnë në Malësi.”
7 U nis Jozuehu prej Galgalës e me të të gjithë luftëtarët ‑ njëri më trim se tjetri! 8 Zoti i tha Jozuehut: “Aspak mos i druaj! Të gjithë t’i kam lëshuar në dorë! Asnjëri prej tyre s’do të mund të të bëjë ballë”!
9 Jozuehu u sul mbi ta papritmas pasi kishte udhëtuar prej Galgalës gjithë natën e lume.
Ndihma prej së larti
10 Zoti lëshoi pështjellim mes tyre posa e panë Izraelin që i shpartalloi duke u bërë dëme të shumta në Gabaon. I ndoqi udhës që shpie përpjetë drejt Betoronit dhe i vrau deri në Azekë e në Macedë. 11 Ndërsa po iknin prej bijve të Izraelit dhe gjendeshin në teposhten e Betoronit, Zoti flaku mbi ta gurë të mëdhenj prej qiellit deri në Azekë dhe mbetën të vrarë shumë më shumë prej breshrit të gurëve se prej shpatës së bijve të Izraelit.
12 Atëherë, po atë ditë, kur Zoti ia dorëzoi Amorreun në sy të bijve të Izraelit, Jozuehu iu drejtua Zotit e para bijve të Izraelit tha me zë të lartë:
“Ndalu, o diell, mbi Gabaonin,
e ti, o hënë, mbi luginën Ajalon”!
13 U ndal dielli edhe hëna,
derisa populli iu hakmor armiqëve të vet.
Pse, a nuk shkruan në librin e të Drejtit? “Zuri vend dielli në mes të qiellit e s’u ngut të perëndojë gati për një ditë të tërë.
14 Dhe as më parë as pas nuk pati një ditë tjetër porsi ajo, në të cilën Zoti të dëgjojë zërin e një njeriu, sepse Zoti luftoi për Izraelin”.
15 Pastaj Jozuehu së bashku me të gjithë izraelitët u kthye në zemërimië në Galgalë.
Pesë mbretërit në shpellën Maceda
16 Porse pesë mbretërit kishin ikur dhe ishin fshehur në shpellën e qytetit Macedë. 17 E lajmëruan Jozuehun se ishin gjetur të fshehur pesë mbretërit në shpellën e qytetit të Macedës. 18 Jozuehi dha urdhër: “Rrotulloni gurë të mëdhenj në grykën e shpellës dhe vini njerëz t’i ruajnë të fshehurit”. 19 Por ju mos zini vend, veçse ndiqni armiqtë, suljuni prapavijës e vritini: mos lejoni që të hyjnë në qytetet e tyre, sepse Zoti, Hyji juaj, i la në duar tuaja”.
20 Pasi i vranë armiqtë dhe i zhdukën deri në shfarosje ‑ shpëtuan një pakicë që u strehuan në qytete të fortifikuara ‑ 21 mbarë ushtria e Izraelit u kthye shëndoshë e mirë në llogor në Macedë tek Jozuehu. Askush më s’guxoi as të fliste kundër bijve të Izraelit.
22 Atëherë Jozuehu dha urdhër: “Hapeni grykën e shpellës dhe m’i nxirrni pesë mbretërit që fshihen në të”. 23 Ashtu bënë: i nxorën pesë mbretërit prej shpellës e i sollën para tij: mbretin e Jerusalemit, mbretin e Hebronit, mbretin e Jerimotit, mbretin e Lakisit, mbretin e Eglonit. 24 Pasi u nxorën para tij, i grishi të gjithë trimat e Izraelit dhe u tha prijësve ushtarakë që ishin me të: “Afrohuni dhe vini këmbët në qafën e këtyre mbretërve”! Pasi u afruan këta dhe i vunë këmbët mbi zverkun e tyre, 25 përsëri u tha: “Mos u trembni as mos kini frikë! Merrni zemër e kini guxim! Kështu do t’ua bëjë Zoti të gjithë armiqëve tuaj, kundër të cilëve do të luftoni”!
26 Pastaj Jozuehu i goditi dhe i vrau. I vari në pesë lisa. Qëndruan të varur deri në mbrëmje. 27 Kur po perëndonte dielli, Jozuehu dha urdhër të uleshin prej lisave. Si u ulën, i flakën në shpellë, ku ishin fshehur. Në grykën e saj rrotulluan gurë të mëdhenj: aty janë edhe sot.
Pushtimi i qyteteve jugore të Kanaanit
28 Po atë ditë Jozuehu e pushtoi edhe Macedën: e goditi qytetin me teh të shpatës, e vrau mbretin e saj dhe të gjithë banorët e saj e s’la të shpëtojë askush. Mbretit të Macedës ia bëri siç ia kishte bërë mbretit të Jerikut.
29 Pastaj Jozuehu me mbarë Izraelin shkoi prej Macedës në Lebnë dhe e sulmoi. 30Zoti e lëshoi qytetin dhe mbretin e tij në duar të Izraelit: e goditën qytetin me tehun e shpatës e me të të gjithë banorët. Nuk lanë gjallë asnjë për be dhe mbretit të Lebnës ia bënë siç ia patën bërë mbretit të Jerikut.
31 Prej Lebnës Jozuehu kaloi në Lakis me mbarë Izraelin: pasi e rrethoi me ushtri, nisi ta sulmojë. 32 Po edhe Lakisin Zoti ia lëshoi në dorë Izraelit, që e pushtoi të nesërmën. I preu me shpatë gjithsa ndodheshin në të, siç ia pat bërë Lebnës. 33 Asohere u ngrit mbreti i Gazerit, Horami, për t’i ndihmuar Lakisit: por Jozuehu e goditi me mbarë popullin e tij deri në shfarosje.
34 Prej Lakisit Jozuehu kaloi bashkë me mbarë Izraelin në Eglon, e rrethoi 35 dhe po atë ditë e pushtoi dhe me shpatë i preu gjithsa ishin në të, po ashtu siç bëri në Lakis.
36 Po ashtu me mbarë Izraelin u ngjit nga Egloni në Hebron dhe luftoi kundër tij. 37 E pushtoi edhe atë. Me teh të shpatës e goditi mbretin e tij, të gjitha fshatrat e banorët e tij që u gjetën aty: nuk u la asnjë shenjë: siç ia bëri Eglonit, po ashtu ia bëri edhe Hebronit: gjithçka gjeti në të, vuri nën shpatë.
38 Si u kthye me mbarë Izraelin prej andej, e sulmoi Dabirin. 39 E pushtoi edhe atë. Mbretin e fshatrat e tij i copëtoi me shpatë: s’la gjallë asnjë për be: siç ua kishte bërë Hebronit e Lebnës dhe mbretërve të tyre, po kështu ia bëri edhe Dabirit e mbretit të tij.
Përsëritje e pushtimit të Jugut
40 Kështu pra, Jozuehu e pushtoi mbarë atë vend: Malësitë, Nagebin, Sefelën dhe Rrafshin me mbretërit e tyre. Nuk la në to asnjë të gjallë që merrte frymë, por i vrau siç kishte urdhëruar Zoti, Hyji i Izraelit. 41 I vrau të gjithë prej Kadesbarnesë deri në Gazë, mbarë vendin Gosen deri në Gabaon. 42 Të gjithë mbretërit dhe krahinat e tyre i pushtoi me një sulm të rrufeshëm të vetëm: sepse Zoti, Hyji i Izraelit, luftonte për Izraelin.
43 Atëherë Jozuehu bashkë me mbarë Izraelin u kthye në ja në Galgalë.

Kapitujt
