
Kapitujt

2 i Kronikave: 36. Joakazi
361 Atëherë populli i vendit, e mori Joakazin, birin e Jozisë dhe e shpalli mbret në Jerusalem në vend të babait. 2 Joakazi kishte njëzet e tri vjet kur u bë mbret dhe mbretëroi në Jerusalem tre muaj. 3 E shkarkoi nga pushteti mbreti i Egjiptit kur erdhi në Jerusalem dhe vendin e dënoi të paguante njëqind talenta argjend e një talent ar. 4 Në vend të tij e vuri të vëllanë e tij, Eliakimin, për mbret mbi Judën dhe Jerusalemin dhe ia ndërroi emrin Joakim, kurse Joakazin e mori me vete dhe e humbi në Egjipt.
Joakimi
5 Joakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi në Jerusalem njëmbëdhjetë vjet. Bëri të këqija para Zotit, Hyjit të vet. 6 Kundër tij erdhi Nabukodonozori, mbreti i kaldenjve dhe, të lidhur me zinxhirë, e humbi në Babilon. 7 Nabukodonozori mori edhe një pjesë të enëve të Zotit dhe i çoi e i vendosi në tempullin e vet.
8 Veprat e tjera të Joakimit, fëlliqësitë që i bëri dhe fajet e tjera të tija, gjenden në Librin e Mbretërve të Izraelit e të Judës. Në vend të tij u bë mbret i biri, Joakini.
Joakini
9 Joakini ishte tetëmbëdhjetëvjeçar kur u bë mbret dhe në Jerusalem mbretëroi tre muaj e dhjetë ditë. Bëri të keqen para Zotit. 10 Në fillim të vitit të ri mbreti Nabukodonozori, dërgoi njerëzit, të cilët e sollën në Babilon duke i marrë bashkë me të enët më të çmueshme të Shtëpisë së Zotit. Vuri Sedecinë, të vëllanë e tij, për mbret mbi Judën e Jerusalemin.
Sedecia
11 Sedecia kur u bë mbret ishte njëzet e një vjeç dhe në Jerusalem mbretëroi njëmbëdhjetë vjet. 12 Bëri të keqen ndër sytë e Zotit, Hyjit të vet, as s’dëgjoi të përulet para profetit Jeremi, që i fliste në emër të Zotit. 13 Gjithashtu bëri kryengritje kundër Nabukodonozorit, që e kishte bërë t’i premtonte besnikëri me përbetim në Hyjin. Ai mbeti kokëfortë e zemërgur, dhe nuk u kthye kah Zoti, Hyji i Izraelit.
Kombi
14 Gjithashtu edhe të gjithë krerët e priftërinjve si dhe populli mbarë i shumuan pabesnikëritë e veta duke i ndjekur fëlliqësitë e paganëve e duke e dhunuar Shtëpinë e Zotit që vetë Zoti e kishte shuguruar në Jerusalem.
15 E pra, Zoti, Hyji i etërve të tyre, ua dërgonte me kujdes e ditë për ditë lajmëtarët e vet për t’i qortuar, sepse i dhimbsej populli i vet dhe banesa e vet. 16 Por ata i përqeshnin lajmëtarët e Hyjit, i merrnin për asgjë fjalët e tija dhe i vinin në lojë profetët derisa mbërriti në kulm hidhërimi i Zotit kundër popullit të tij e më s’kishte shërim.
Rrënimi
17 Atëherë e dërgoi kundër tyre mbretin e kaldenjve dhe i vrau të rinjtë e tyre me shpatë në Shenjtëroren e tij. Nuk pati më mëshirë as për të rinj, as për vajza, as për pleq, as për të mbetur, por i lëshoi të gjithë në duart e tija. 18 Të gjitha enët e Shtëpisë së Hyjit, të mëdha e të vogla, visaret e Tempullit, të pallatit mbretëror e të prijësve i mbarti në Babilon. 19 Atëherë armiqtë e dogjën Shtëpinë e Hyjit, e rrënuan murin e Jerusalemit, i dogjën të gjitha pallatet, rrënuan gjithçka ishte me vlerë.
20 Mbreti i humbi në Babiloni ata që i shpëtuan shpatës dhe u bënë skllevër të mbretit e të bijve të tij derisa u vendos mbretëria persiane, 21 për t’u plotësuar fjala që Zoti e tha me gojën e Jeremisë: “Derisa toka të mos i zhdetyrojë të shtunat e veta, do të pushojë për tërë kohën djerr, deri që të mbushen shtatëdhjetë vjet”.
Drejt së ardhmes
22 Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, për të shkuar në vend fjala e Zotit, që e kishte thënë me gojën e Jeremisë, Zoti e zgjoi shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, i cili shpalli ‑ madje edhe me shkrim ‑ në mbarë mbretërinë e vet: 23 ”Kështu urdhëron Kiri, mbreti i Persisë: Zoti, Hyji i qiellit, m’i dhuroi të gjitha mbretëritë e dheut dhe Ai më urdhëroi t’ia ndërtoj Shtëpinë në Jerusalem, që është në Judé. Me cilindo prej jush që i përket popullit të tij, Zoti, Hyji i tij, qoftë me të; secili le të shkojë atje”.

Kapitujt
