Kapitujt

2 i Samuelit: 21. Uria e madhe dhe vrasja e pasardhësve të Saulit

21

1 Në kohën e Davidit ndodhi një uri që zgjati tri vjet. Davidi iu drejtua për këshillë Zotit e Zoti iu përgjigj: “Mbi Saulin dhe mbi familjen e tij rëndon gjaku, sepse i vrau gabaonasit”. 2 Atëherë mbreti i thirri gabao‑ nasit dhe u tha ‑ duhet ditur se gabaonasit nuk janë izraelitë, por mbeturinë e amorrenjve e izraelitët u kishin dhënë besën se s’do t’i vritnin, por Sauli, prej zellit të tepruar për bijtë e Izraelit e të Judës, vetë deshi t’i vrasë ‑; 3 u tha pra Davidi gabaonasve: “Çfarë të bëj për ju? Ç’doni t’ju jap për shpagim që t’i bekoni trashëgimtarët e Zotit”? 4 Gabaonasit i thanë: “Ne nuk kërkojmë prej Saulit as prej shtëpisë së tij as argjend as ar. Nuk kërkojmë as që të vritet ndokush prej Izraelit”. Mbreti u tha: “Ç’ të kërkoni, unë do ta bëj për ju”.

5 Ata i thanë mbretit: “Prej pasardhësve të atij njeriu që na ka vrarë dhe ka dashur të na e shuajë farën kështu që të mos mbetej askush prej nesh brenda kufijve të Izraelit, 6 na i jep shtatë burra t’i varim para Zotit në Gabaon, në malin e Zotit”. Mbreti u përgjigj: “Do t’jua jap”.

7 Mbreti e fali Meribaalin, birin e Jonatanit, të birit të Saulit, për shkak të besës së Zotit që ishte lidhur ndërmjet Davidit e Jonatanit, të birit të Saulit. 8 Kështu, pra, mbreti i mori dy bijtë e Resfës, së bijës së Ajës, që ia lindi Saulit, Armoniun e Meribaalin, dhe pesë bijtë e Merabës, së bijës së Saulit, që ia kishte lindur Hadrielit, birit të Berzelait, që ishte nga Mehola, 9 dhe ua dorëzoi gabaonasve, të cilët i varën në mal para Zotit. Kështu u vranë të shtatët së bashku në ditët e para të korrjes, në fillim të korrjes së elbit.

10 Atëherë Resfa, bija e Ajës, mori një thes, e shtroi mbi qetë për vete që prej fillimit të korrjes derisa ra shiu nga qielli mbi kufomat e tyre. Nuk i la shpendët të binin mbi trupin e tyre ditën as egërsirat e malit natën.

11 I lajmëruan Davidit ç’kishte bërë Resfa, bija e Ajës, shemra e Saulit. 12 Atëherë Davidi shkoi e i mori eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, prej qytetarëve të Jabesit të Galaadit, që i kishin vjedhur nga tregu i Betsanit, ku i kishin varur filistenjtë pasi i patën vrarë në Gjelboe. 13 Davidi, pra, i solli eshtrat e Saulit e të birit të tij, Jonatanit. I mblodhën edhe eshtrat e të varurve 14 dhe i varrosën bashkë me eshtrat e Saulit e të birit të tij, Jonatanit, në tokën e Beniaminit, në Selë, në varrezën e Cisit, babait të tij. Bënë gjithçka u urdhëroi mbreti e atëherë Zoti u dëftua i mëshirshëm me vendin.

Trimëritë e lavdishme kundër filistenjve

15 Prapë u bë një luftë ndërmjet filistenjve e izraelitëve. Davidi zbriti me ushtarët e vet e po luftonin kundër filistenjve. Por Davidi u lodh. 16 Jesbibenobi, një nga pasardhësit e Rafës ‑ heshta e të cilit ishte e rëndë treqind sikla bronzi ‑ me shpatë të re të ngjeshur në ije, lëvdohej se do ta vriste Davidin. 17 Por Davidit i erdhi në ndihmë Abisai, biri i Sarvisë, e goditi filistiun dhe e vrau. Atëherë u përbetuan njerëzit e Davidit dhe i thanë: “Ti s’do të dalësh më me ne në luftë, që të mos na e ndalësh dritëzën e Izraelit”.

18 Përsëri u bë edhe një luftë në Gob kundër filistenjve: asohere Sobokai i Husës, vrau Safin pasardhësin e Rafës.

19 Përsëri u bë edhe një luftë tjetër në Gob kundër filistenjve: asohere Elkanani, biri i Jairit, nga Betlehemi, vrau Goliat Geteun, dorëza e heshtës së të cilit ishte porsi shuli i tezgjahut.

20 Prapë plasi një lufte në Get, ku ishte një njeri shumë i lartë: kishte nga gjashtë gishtërinj në duar e në këmbë, d. m. th. njëzet e katër; edhe ky ishte prej rodit të Rafës. 21 Edhe ky deshi të poshtëronte Izraelin, por e vrau Jonatani, biri i Samës, vëllait të Davidit.

22 Të katërtit ishin prej rodit të Rafës nga Geti dhe u vranë prej dorës së Davidit e të ushtarëve të tij.

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > 2 i Samuelit > Uria e madhe dhe vrasja e pasardhësve të...