Kapitujt

2 i Samuelit: 18. Shpartallimi i partisë së Absalomit

18

1 Pastaj Davidi e numëroi popullin që ishte me të dhe caktoi mbi të mijëtarë e urdhërqindës. 2 Pastaj Davidi e ndau ushtrinë në tri pjesë: një të tretën e ushtrisë nën udhëheqjen e Joabit, një të tretën nën udhëheqjen e Abisait, birit të Sarvisë, vëllait të Joabit, një të tretën nën udhëheqjen e Etait, që ishte nga Geti. Mbreti i tha popullit: “Edhe vetë po vij në luftë me ju”. 3 Mbarë ushtria iu përgjigj: “Jo, ti s’do të vish në luftë. Sepse, nëse do të na duhet të ikim, askush nuk do t’i japë rëndësi; po edhe nëse mbetemi të vrarë gjysma prej nesh, askush nuk do t’i japë rëndësi, kurse ti vetëm çmohesh sa dhjetë mijë vetë. Prandaj është më mirë që të jesh i gatshëm të na gjendesh në ndihmë prej qytetit”. 4 Atëherë mbreti u tha: “Si t’ju duket se është më mirë, ashtu do të bëj”. Kështu edhe mbreti qëndroi pranë derës së qytetit. Ushtria dilte në grupe nga njëqind e nga një mijë. 5Mbreti u urdhëroi Joabit, Abisait dhe Etait e u tha: “Për hatrin tim, mos e vritni djaloshin Absalom”! Mbarë ushtria dëgjoi se mbreti u urdhëroi kështu krerëve lidhur me Absalomin.

6 Kështu ushtria doli në fushim e gatshme për t’u përleshur me Izraelin dhe përleshja u nis në pyllin e Efraimit. 7 Dhe aty ushtria e Davidit e preu ushtrinë e Izraelit. Qe një humbje e rëndë atë ditë: mbetën njëzet mijë vetë. 8 Përleshja u shtri nëpër mbarë krahinën dhe më shumë qenë nga ata që i përpiu pylli sesa nga ata që i preu shpata atë ditë.

Vdekja e Absalomit

9 Por ndodhi që Absalomi të takohej me ushtarët e Davidit. Ishte në majë të mushkut. Kur mushku hyri nën një qarr të madh me gema, iu ngatërrua koka Absalomit në gema dhe mbeti i varur mes qiellit e tokës, kurse mushku, në të cilin ishte, kaloi. 10 E pa dikush dhe i lajmëroi Joabit: “E pashë Absalomin të varur në qarr”.

11 Joabi i tha atij burri që i lajmëroi: “Nëse e pe, pse nuk e mbërtheve për tokë? Unë do të të jepja dhjetë sikla të argjendtë dhe një brez”. 12 Ai iu përgjigj Joabit: “Po edhe sikur të m’i hidhje këtu në shuplakë të dorës një mijë sikla të argjendtë, unë assesi nuk do të çoja dorë mbi djalin e mbretit. Sepse me veshët tanë e kemi dëgjuar kur mbreti të urdhëroi ty, Abisait dhe Etait: ‘Ma ruani, kushdo që ta takojë, djaloshin Absalom’! 13 Po ta kisha bërë një punë të tillë me pabesnikëri kundër ndërgjegjes sime, kjo gjë assesi nuk do të mbetej e fshehtë për mbretin, e ti atëherë s’do të më kishe mbrojtur”. 14 Joabi tha: “Kot po humb kohë pranë teje”! I mori pra, tri heshta në dorë dhe ia nguli në zemër Absalomit që ishte ende gjallë në gemat e qarrit. 15 Vrapuan dhjetë djelmosha, armëmbajtës të Joabit, e goditën dhe e vranë.

16 Atëherë Joabi i ra borisë dhe ushtria pushoi të ndjekë më tutje Izraelin, sepse Joabi e ndali popullin. 17 Atëherë e morën Absalomin, e hodhën në një shpellë të thellë në pyll dhe mbi të hodhën një mogilë të madhe gurësh. Atëherë mbarë Izraeli shkoi në çadrat e veta.

18 Absalomi, që kur ishte gjallë, kishte ngritur për vete një përmendore në luginën e Mbretit; sepse thoshte: “S’kam djalë që të ruajë kujtimin e emrit tim”. Dhe atë përmendore e quajti me emrin e vet dhe ajo quhet deri më sot Përmendorja e Absalomit.

Davidit i tregojnë për vdekjen e Absalomit

19 Akimaasi, biri i Sadokut, tha: “Po vrapoj e po i tregoj mbretit sihariqin se Zoti i ka bërë drejtësi duke e shpëtuar prej armiqve të tij”. 20 Joabi i tha: “Nuk je sot sihariqtar, por lajmëroje një ditë tjetër. Sot nuk i çon lajme të mira, sepse ka mbetur djali i mbretit”. 21 Por Joabi i tha etiopiasit: “Shko e tregoji mbretit ç’ke parë”! Etiopiasi i bëri nderim Joabit dhe u nis vrap. 22 Por Akimaasi, biri i Sadokut, përsëri i tha Joabit: “Çkado që të më ndodhë, edhe vetë po shkoj pas etiopiasit”! Por Joabi i tha: “Pse po nxiton, biri im? S’do ta marrësh dhuratën e sihariqtarit”! 23 E ai iu përgjigj: “Të ndodhë ç’të ndodhë, unë do të shkoj”! I tha: “Vrapo”! Akimaasi vrapoi udhës së rrafshtë dhe e kaloi etiopiasin.

24 Davidi rrinte ndërmjet dy dyerve. Rojtari vrojtues kishte dalë mbi tarracë përmbi derë në mur dhe, kur ngriti sytë, pa se një njeri po vraponte 25 dhe thirri e i tregoi mbretit. Mbreti i tha: “Nëse është vetëm, sjell lajm të mirë”. Pasi ai po shpejtonte e po afrohej gjithnjë, 26 vrojtuesi pa se po afrohej edhe një tjetër dhe i thirri vrojtuesi dertarit: “Po shoh se po vrapon një njeri vetëm”. Mbreti tha: “Edhe ky është lajmëtar i mirë”. 27 Atëherë vrojtuesi tha: “E njoh vrapimin e të parit: më duket se është Akimaasi, biri i Sadokut”. Mbreti tha: “Është njeri i mirë dhe sjell sihariq”.

28 Akimaasi e përshëndeti mbretin me zë të lartë: “Gjithçka mirë”! Dhe u përkul me fytyrë përdhe e tha: “Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që u dha fund njerëzve, të cilët u ngritën kundër zotërisë tim mbretit”! 29 Mbreti e pyeti: “A është gjallë djaloshi Absalom”? Akimaasi iu përgjigj: “Pashë një përleshje të madhe kur Joabi e dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua shërbëtorin tënd, por nuk di si mori fund puna”. 30 Atëherë mbreti i tha: “Kalo e qëndro atje”! Pasi u largua ai dhe qëndroi në anë, 31 ia behu etiopiasi dhe, kur arriti, tha: “Ju sjell sihariq, imzot mbret! Zoti sot të ka dhënë të drejtën dhe të ka shpëtuar prej duarve të të gjithë armiqve që u ngritën kundër teje”. 32 Por mbreti i tha etiopiasit: “A është mirë djaloshi Absalom”? Etiopasi u përgjigj: “I gjettë porsi djaloshin të gjithë armiqtë e mbretit, zotërisë tim, që u ngritën për t’i bërë të keqen mbretit”.

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > 2 i Samuelit > Shpartallimi i partisë së Absalomit