Kapitujt

Ligji i Përtërirë: 17. Gjykatësit levitë

17

1 Mos i flijo Zotit, Hyjit tënd, as bagëti të imët as begëti të trashë që ka të metë ose çfarëdo mungese, sepse kjo do të ishte poshtërim për Zotin, Hyjin tënd.

2 Nëse gjendet në mesin tënd, në ndonjërin ndër qytetet e tua, që Zoti, Hyji yt, do t’i japë, burrë ose grua që bën çka është e keqe ndër sy të Zotit, Hyjit tënd, dhe e prishin besëlidhjen e tij 3 dhe shkojnë e u shërbejnë hyjnive të tjera dhe i ardhurojnë ato: Diellin, Hënën ose cilindo ndër trupat qiellorë, gjë që unë e kam ndaluar 4 dhe për këtë gjë të vënë në dijeni, dhe, pasi ta kesh shqyrtuar me kujdes këtë, e gjen se është e vërtetë, se është bërë kjo poshtërsi në Izrael, 5 atëherë këtë njëri ose këtë grua, nxirre në derë të qytetit ku e ka bërë këtë poshtërsi, dhe le të vritet me gurë. 6 I dënuari duhet të vritet vetëm me dëshmimin e dy ose tre dëshmitarëve: të mos vritet askush në bazë të dëshmimit të një njeriu të vetëm. 7 Dora e dëshmitarëve duhet të ngrihet e para për ta vrarë dhe pas tyre le të ngrihet dora e mbarë popullit. Kështu do ta çrrënjosësh të keqen prej mesit tënd.”

Gjykatësit levitë

8 “Nëse ndodh që ta kesh tepër të vështirë të gjykosh mbi natyrën e ndonjë rasti të derdhjes së gjakut, të ndonjë çështjeje o të ndonjë varre, shko në vendin që ta ketë zgjedhur Zoti, Hyji yt, 9 dhe drejtoju priftërinjve levitë dhe gjykatësit që të jetë në detyrë asokohe. Pyeti ata, nëse duan të ndajnë drejtësi. 10 Ti atëherë bëj sipas vendimit gjykues që të kenë thënë në vendin që Zoti ta ketë zgjedhur. Bëj gjithçka si të të kenë mësuar ata, 11 sipas urdhrit që të kenë dhënë dhe sipas vendimit gjykatës që të kenë marrë. Mos iu shmang as djathtas as majtas!

12 Ai njeri që prej kryelartësisë nuk do ta dëgjojë urdhrin e priftit që aso kohe i shërben Zotit, Hyjit tënd, as vendimin e gjykatësit, ai njeri le të vdesë. Kështu do ta heqësh të keqen prej mesit të Izraelit. 13

Mbarë populli, kur të dëgjojë, do të frikësohet dhe askush më s’do të sklerotet me krenari.”

Mbreti

14 “Kur të kesh hyrë në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë, kur ta kesh bërë pronë e të banosh në të dhe atëherë të thuash: ‘Dua të vë mbi mua një mbret siç e kanë të gjitha kombet përreth meje’, 15 vëre për mbret atë që ta ketë zgjedhur Zoti, Hyji yt, prej vëllezërve të tu. Nuk guxon të vësh për mbret tëndin një njeri të një kombi tjetër, që nuk është vëllai yt.

16 Por të mos ketë shumë kuaj dhe të mos gabojë ta çojë popullin e vet në Egjipt për ta rritur numrin e kuajve, sepse Zoti ju ka urdhëruar të mos ktheheni më assesi për këtë rrugë. 17 Gjithashtu të mos ketë shumë gra, që të mos e lëshojë rrugën zemra e tij. Po ashtu të mos ketë as argjend e ar për së tepërmi.

18 E kur të hipë në fronin e mbretërisë së vet, le ta bëjë një dyshëritje të këtij ligji për përdorimin e vet e ta marrë prej peifërinjve levitë. 19 Le ta ketë gjithmonë me vete, le ta lexojë për çdo ditë të jetës së vet, që të mësojë ta ketë frikë Zotin. Hyjin e vet, t’i mbajë të gjitha urdhërimet e këtij ligji e t’i zbatojë këto rregullore që i urdhëron Ligji. 20 Të ruhet që të mos i rritet mendja nga krenaria përmbi vëllezërit e vet dhe të mos u shmanget këtyre urdhër‑ imeve as djathtas as majtas, që të sundojë për një kohë të gjatë ai dhe bijtë e tij në mes të Izraelit.”

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > Ligji i Përtërirë > Gjykatësit levitë