
Kapitujt

Ligji i Përtërirë: 2. Prej Kadesit në Amon
21 “Atëherë u çuam dhe morëm rrugën e shkretëtirës në drejtim të Detit të Kuq, siç më kishte dhënë urdhër Zoti.
Për një kohë të gjatë u sollëm rreth malit Seir. 2 Atëherë Zoti më tha: 3 ‘Mjaft u sollët përreth këtij mali! Nisuni në drejtim të veriut. 4 Popullit jepi këtë urdhër: Do të kaloni nëpër tokën e vëllezërve tuaj, të bijve të Ezaut që banojnë në Seir. Ata do t’ju kenë frikë, 5 por ju ruhuni fort e mos i sulmoni assesi, sepse unë nuk do t’ju jap prej tokës së tyre as një këmbë dhe, sepse malin Seir ia dhashë për pronë Ezaut. 6 Bukën që të hani blijeni prej tyre me pare; edhe ujin blijeni e atëherë nxirreni e pijeni. 7 Sepse Zoti, Hyji yt, të ka bekuar në çdo vepër të duarve të tua, të ka përcjellë në udhëtime të tua nëpër këtë shkretëtirë të madhe duke banuar me ty Zoti, Hyji yt, për dyzet vjet dhe nuk të ka munguar asgjë.’
8 Pasi i kaluam vëllezërit tanë, bijtë e Ezaut, që banonin në Seir, rrugës së Arabës prej Elatit e prej Asiongaberit, u kthyem dhe erdhën udhës në drejtim të shkretëtirës Moab. 9 Atëherë Zoti më tha: ‘Mos i sulmo moabitët dhe mos bëj luftë kundër tyre! Sepse prej tokës së tyre nuk do të të jap asnjë grimë, sepse bijve të Lotit ua dhashë për pronë Arin. ‑ 10 Më parë aty jetonin emitët, një popull i madh e i shumtë dhe aq i lartë me shtat si enacitët. 11 Po edhe vetë refaitët mbaheshin porsi enacitët; moabitët ata i quajnë emitë. 12 Kurse në Seir më parë banonin horimët. Këta u dëbuan dhe u zhdukën prej bijve të Ezaut që banonin në vendin e tyre, po ashtu siç bënë edhe izraelitët në tokën e pronës së vet që ua dha Zoti. ‑ 13 Ngrihuni, pra, e kalojeni përroin Zared!’ Dhe e kaluam përroin Zared.
14 Koha e shtegtimit prej Kadesbarnesë deri në kalimin e përroit Zared zgjati tridhjetë e tetë vjet derisa u shfaros mbarë breznia e luftëtarëve të llogorit, ashtu sikurse u qe përbetuar Zoti. 15 Dora e Zotit qe kundër tyre derisa i shfarosi prej zemërimiës.
16 E pasi vdiqën të gjithë këta luftëtarë prej mesit të popullit, 17 atëherë Zoti foli me mua e tha: 18 ‘Sot po kalon kufijtë e Moabit, qytetin që quhet Ar. 19 Kur t’u afrohesh amonëve, ruaj se i sulmon ose ngre luftë me ta, sepse nuk do të të jap prej tokës së tyre, të bijve të Amonit, sepse atë ua dhashë bijve të Lotit për pronë.’ ‑ 20 Edhe ajo çmohet tokë e refaitëve: dikur në të banonin refaitët, të cilët amonitët i quajnë zomzomitë. 21 Ata ishin popull i madh e i shumtë dhe me shtat të lartë si enacitët. Zoti i shfarosi para faqes së tyre dhe ua dha atyre të banojnë në vend të tyre, 22 siç bëri me bijtë e Ezaut, që banojnë në Seir, duke i shfarosur horimët e duke ua dhënë tokën për pronë që e kanë deri në ditët e tashme. 23 Po edhe hevenjtë, që jetonin nëpër fshatra deri te Gaza, kaftoritët, që kishin ardhur nga Kaftori, i zhdukën ata dhe u vendosën në vendin e tyre.
24 Ngrihuni! Nisuni e kalojeni përruan Arnon: ja, ta lëshova në dorë Sehonin, mbretin e Hesebonit amorreas! Fillo ta pushtosh! Filloje luftën me të! 25 Sot do të filloj ta shtie tmerrin dhe frikën tënde në popuj që janë kudo nën qiell, që, posa ta dëgjojnë emrin tënd, të tremben e të dridhen para teje. ’“
Pushtimi i mbetërisë së Sehonit
26 “Kështu, pra, dërgova prej shkretëtirës Kademot lajmëtarë te Sehoni, mbreti i Hesebonit, me fjalë paqeje. I thashë: 27 Do të kaloj nëpër tokën tënde. Do të bie rrugës botore, dhe nuk do të shmangem as djathtas as majtas. 28 Ushqimet m’i shit me para që të ushqehem për sa të kaloj, edhe ujin për të pirë ma shit. Nuk kërkoj tjetër, pos sa të kaloj, 29 siç më lejuan bijtë e Ezaut që banojnë në Seir si dhe moabitët, që jetojnë në Ar. Dua të mbërrij deri te Jordani e të kaloj në tokën që Zoti, Hyji ynë, do të na e dhurojë.
30 Por Sehoni, mbreti i Hesebonit, nuk deshi të na lejojë të kalojmë, sepse Zoti, Hyji yt, ia kishte bërë shpirtin të ngurtë dhe ia nguroi zemrën, që ta lëshonte në duar të tua, siç e ke edhe sot.
31 Atëherë Zoti më tha: ‘Ja, fillova të ta dorëzoj Sehonin dhe tokën e tij. Fillo ta pushtosh!’
32 Edhe Sehoni me mbarë popullin e vet na doli para dhe nisi luftën në Jasë. 33 E Zoti, Hyji ynë, na e dorëzoi: e goditëm atë dhe bijtë e tij e mbarë popullin e tij.
34 Asohere i pushtuam të gjitha qytetet e tija dhe secilin qytet me burra, gra e fëmijë e ngarkuam me “mallkim”: askënd nuk e lamë gjallë, 35 me përjashtim të bagëtive që i morëm pre bashkë me prenë e qyteteve që pushtuam. 36 Që prej Aroerit, që është në bregun e përroit Arnon, dhe qytetin që është në luginën e tij, e deri në Galaad, s’pati asnjë qytet që i shpëtoi dorës sonë: të gjitha na i dorëzoi Zoti, Hyji ynë. 37 Nuk e preke vetëm tokën e bijve të Amonit, krahinës përgjatë përroit Jabok dhe qytetet e rrafshnaltës e viset që Zoti, Hyji ynë, na i ndaloi.”

Kapitujt
