
Kapitujt

2 i Mbretërve: 4. Vaji i vejushës
41 Një grua, prej grave të bijve të profetëve, i lutej Ehlizeut e i thoshte: “Shërbëtori yt, burri im, ka vdekur, e ti e di se shërbëtori yt ka qenë njeri që e ka dashtur Zotin. Dhe ja, ka ardhur huadhënësi për të m’i marrë dy djemtë e mi për t’i bërë skllevër.” 2 Elizeu iu përgjigj: “Po çka do që të bëj për ty? Çka ke në shtëpinë tënde? Më trego!” Ajo iu përgjigj: “Shërbëtorja jote s’ka asgjë tjetër në shtëpinë e vet përveç një poçi të vogël me vaj”. 3 Ai i tha: “Shko e merr hua prej të afërmve të tu enë të zbrazëta sa më shumë që të mundesh. 4 Hyr në shtëpi dhe mbylle derën pas vetes. Kur të jesh brenda ti dhe fëmijët e tu, diko prej tij në to. Secilën enë që ta mbushësh nxirre në një anë”.
5 Shkoi, pra, gruaja, e mbylli derën pas vetes e pas fëmijëve të vet. Ata i sillnin enët e ajo i mbushte. 6 Kur i mbushi enët, i tha djalit të vet: “Më sill edhe një enë”. Ai iu përgjigj: “S’kam më”! Vaji u ndal. 7 Gruaja erdhi e i tregoi njeriut të Hyjit. Ai i tha: “Shko e shite vajin e ktheja detyrën huadhënësit tënd, kurse ti e djemtë e tu jetoni me vajin që do t’ju teprojë”.
Elizeu, sunamitja dhe djali i saj
8 Një ditë ndodhi që Elizeu të kalojë nëpër Sunam. Ishte aty një grua fisnike dhe kjo e ndali të hajë bukë tek ajo. Që atëherë, gjithsaherë që kalonte atypari, kthehej tek ajo për bukë. 9 Ajo i tha burrit të vet: “Me sa shoh unë, ky njeri i Hyjit që kalon shpesh këtupari, është vërtet njeri i shenjtë.
10 Po i ndërtojmë një dhomë në tarracë, po i vendosim në të një shtrat, një tavolinë, një ndenjëse dhe një pishtar, që, kur të vijë tek ne, të rrijë atje”.
11 Një ditë erdhi ai atje, u ngjit në dhomë dhe pushoi aty.
12 Elizeu i tha Gjiezit, shërbëtorit të vet: “Thirre këtë sunamite”. Ky e thirri dhe, kur erdhi ajo, 13 Elizeu i tha shërbëtorit: “Thuaji: Ti po kujdesesh shumë për ne. Çfarë do që të bëj edhe unë për ty? A mos e ke ndonjë nevojë e do që të flas një fjalë me mbretin ose me të parin e ushtrisë”? Ajo iu përgjigj: “Jetoj e qetë në mes të njerëzve të mi”. 14 Ai tha: “Po ç’dëshiron që të bëj për të”, E Gjiezi tha: “E, mos pyet, nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i moshuar”.
15 Atëherë Elizeu i urdhëroi ta thërriste. Kjo pasi e thirrën, erdhi e qëndroi para derës. 16 Elizeu i tha: “Në këtë kohë, sot një vjet, djalin do ta shtrëngosh në parzmin tënd”! Por ajo u përgjigj: “Jo, zotëria im, jo, mos e gënje shërbëtoren tënde, o njeri i Hyjit”! 17 Por gruaja me të vërtetë ngjizi dhe vitin e dytë po në atë kohë, lindi djalin, ashtu siç i tha Elizeu.
18 Fëmija u rrit dhe një ditë doli të shkonte tek i ati ndër korrtarë. 19 I tha t’et: “Koka ime! Koka ime”! Ai i tha shërbëtorit: “Merre djalin e çoje tek e ëma. ”. 20 E mori dhe e çoi tek e ëma. Ajo e mori djalin në prehër dhe e mbajti ashtu deri në mesditë dhe atëherë i vdiq. 21 Ajo u ngjit dhe e vendosi djalin në shtratin e njeriut të Hyjit dhe e mbylli derën. Doli jashtë, 22 e thirri burrin e vet dhe i tha: “Çoje, po të lutem, me mua njërin prej shërbëtorëve dhe gomaricën që të vrapoj deri te njeriu i Hyjit dhe do të kthehem”. 23 Ai i tha: “Pse po shkon sot? S’është as hëna e re as e shtunë!” Ajo iu përgjigj: “Lametë‑ nzonë”! 24 E shaloi gomaricën dhe i urdhëroi shërbëtorit: “Prij e grahu këmbëve! Mos u ndal askund pa të thënë unë”.
25 U nis pra, dhe arriti te njeriu i Hyjit në malin e Karmelit. Kur e pa së kundrualli njeriu i Hyjit, i tha Gjiezit, shërbëtorit të vet: “Ja, po vjen ajo sunamitja. 26 Shpejto dili përpara dhe thuaj: A je mirë ti? Si është burri dhe si e ke djalin”? Ajo iu përgjigj: “Mirë”! 27 Por kur arriti te njeriu i Hyjit në mal, ra përmbys te këmbët e Elizeut dhe ia pushtoi. Gjiezi u afrua për ta larguar, por njeriu i Hyjit i tha: “Mos e luaj, se e paska shpirtin në pikëllim të madh e Zoti ma ka fshehur mua e nuk më ka treguar”.
28 Ajo i tha: “Vallë, a kam kërkuar unë djalë prej imzotit?
Pse, a nuk të pata thënë: Mos luaj me mua!?” 29 Elizeu i tha Gjiezit: “Shtrëngo ijët e tua, merre shkopin tim dhe nisu! Nëse takon një njeri, mos e përshëndet; nëse të përshëndet kush, mos iu përgjigj. Vër shkopin tim mbi djaloshin”. 30 Porse nëna e fëmijës tha: “Pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, nuk të lëshoj”. Ai u ngrit dhe shkoi me të.
31 Gjiezi kishte shkuar përpara dhe e kishte vënë shkopin përmbi fëmijën, por fëmija s’kishte dhënë zë as shenja jete.
U kthye ta takojë dhe i tha: “Djaloshi nuk u zgjua”!
32 Elizeu hyri në shtëpi dhe, ja, fëmija i vdekur ishte vig në shtratin e tij. 33 Hyri dhe e mbylli derën pas vetes e djaloshit dhe iu lut Zotit. 34 Hipi në shtrat dhe ra përmbi djaloshin, gojën e vet e vuri në gojën e djaloshit, sytë e vet mbi sytë e tij, duart e veta mbi duart e tij dhe u shtri mbi të. Trupi i djaloshit u nxeh. 35 Atëherë u ngrit dhe eci nëpër dhomë andej‑këndej, ra përsëri në shtrojë dhe u shtri përmbi fëmijën. Djaloshi teshi shtatë herë dhe i hapi sytë. 36 Elizeu e thirri Gjiezin dhe i tha: “Thirre sunamiten”! Ai e thirri. Kur erdhi tek Elizeu, ky i tha: “Merre djalin tënd”!
37 Ajo u afrua, ra përmbys te këmbët e tij dhe e nderoi me fytyrë përdhe. E mori djalin e vet e doli jashtë.
Kusia e helmuar
38 Elizeu u kthye në Galgalë. Vendin e kishte kapur uri e madhe. Bijtë e profetëve banonin tek ai. Elizeu i tha sherbëtorit të vet: “Vëre kusinë e madhe e ziej diçka për të ngrënë bijtë e profetëve”. 39 Njëri prej tyre doli në fushë për të mbledhur barishte të egra. Gjeti një pemë kacavjerrëse si hardhi e egër dhe mblodhi prej saj fruta të idhëta. Me to e mbushi leshnikun e vet, u kthye dhe i thërmoi në kusi: por nuk dinte se ç’ishin. 40 Pastaj ua zbrazën njerëzve që të hanë. Kur e kërkuan hajen, bërtitën e thanë: “Vdekja në kusi, njeri i Hyjit”! Dhe nuk mundën të hanin. 41 Elizeu u tha: “Më sillni miell”! Kur ia sollën, e qiti në kusi e tha: “Zbrazu njerëzve le të hanë”! Dhe në kusi s’pati më asgjë të keqe.
Shumëzimi i bukëve
42 Erdhi një njeri prej Baalsalisës dhe i solli njeriut të Hyjit bukë të fryteve të para: njëzet bukë elbi dhe grurë të ri në duqet e veta. Elizeu tha: “Ndaju njerëzve të hanë”! 43 Shërbëtori iu përgjigj: “Si t’ua vë para këto njëqind njerëzve”? Por ai i tha sërish: “Jepi popullit të hajë! Sepse kështu thotë Zoti: ‘Do të hanë dhe to t’u teprojë’!” 44 Ua shtroi, pra, dhe ata hëngrën dhe u teproi sipas fjalës së Zotit.

Kapitujt
