Kapitujt

Zbulesa: 19. Martesa mistike e Qengjit

19

1 Pastaj dëgjova diçka si zë të fortë të një shumice të madhe që brohoriste në qiell: »Aleluja! Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, 2 sepse gjyqet e tij janë të vërteta dhe të drejta! Sepse e dënoi Laviren e madhe që e prishi tokën me fëlligështinë e vet, dhe në të e mori gjakun e shërbëtorëve të vet!«

3 Përsëri thanë: »Aleluja! Tymi i saj buçet në jetë të jetës!«

4 Atëherë njëzet e katër udhëheqësit dhe katër Gjallesat ranë përmbys dhe e adhuruan Hyjin që rri në fron e thanë: »Amen, Aleluja!«

Martesa mistike e Qengjit

5 Pastaj nga froni jehoi zëri që tha: » Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij [edhe] të gjithë ju që e druani - të vegjël e të mëdhenj!«

6 Ndërkaq dëgjova, si zërin e një shumice së madhe njerëzish, si ushtimën e ujërave të mëdha, bumullimë rrufesh të forta:

»Aleluja! Mbretëroi Zoti, Hyji [ynë], i Gjithëpushtetshmi! 7 Le të galdojë e të brohorasim dhe ti japim lavdi Atij, sepse erdhi Dasma e Qengjit! Gati është Nusja e tij! 8 Iu dha të vishet me li të hollë, të shkëlqyeshëm dhe të pastër!« Petku i lirit shembullon veprat e drejta të shenjtërve.

9 Atëherë më tha: »Shkruaj! Të lumët ata që janë të grishur në gostinë e dasmës së Qengjit!« Dhe shtoi: »Këto janë fjalë të vërteta të Hyjit«.

10 Atëherë rashë para këmbëve të tij për ta adhuruar, por ai më tha:

»Prite Zot! Edhe unë jam shërbëtor si ti dhe si vëllezërit e tu që dëshmuan Jezusin! Adhuro vetëm Hyjin!«

Vërtet, dëshmia e Jezusit është shpirti i profecisë.

Kalorësit në kalë të bardhë

11 Atëherë pashë: Qiellin e hapur dhe ja, një kalë i bardhë, dhe në të Ai [që është], »Besniku«, i »Vërteti«, Ai që gjykon e lufton me drejtësi.

12 Sytë i ka [si] flakë zjarri, mbi kokë shumë kurorë, mban Emrin e shkruar që askush s’e di përveç Atij vetë. 13 Është i mbështjellë me mantel të ngjyer në gjak dhe për emër quhet: Fjala e Hyjit. 14 E shoqërojnë Armatat qiellore, në kuaj të bardhë, të veshura me petk liri të hollë dhe të pastër. 15 Nga goja i del shpata e mprehtë për të prerë paganët: »Do të sundojë mbi ta me skeptër hekuri«. Ai e shkel vozgën e verës së zemërimit e të hidhërimit të Hyjit të Gjithëpushtetshëm. 16 Mbi mantel dhe në ijë e ka të shkruar Emrin: »Mbreti i mbretërve dhe Zotëruesi i zotëruesve!«

17 Atëherë pashë një engjëll që qëndronte në diell. Ai me një zë të fortë u bërtiste të gjthë shpendëve që fluturojnë nëpër qiell: »Ejani! Bashkohuni në gostinë e madhe të Hyjit 18 për të ngrënë mish mbretërish, mish krerësh, mish princash, mish kuajsh dhe kalorësish të tyre edhe mish gjithfarë njerëzish - të lirësh dhe skllevërish, të vegjëlish dhe të mëdhenjsh!«

19 Atëherë pashë Egërsirën e mbretërit e dheut dhe ushtritë e tyre, të bashkuara për të filluar luftën me Atë që rrinte në kalë dhe me ushtrinë e tij.

20 Egërsira u zu rob dhe bashkë me të edhe Profeti i rrejshëm që në praninë e saj bënte shenja të mrekullueshme me të cilat gënjente ata që morën vulën e Egërsirës dhe adhuruan truporen e saj. Të dy gjallë u hodhën në liqenin e zjarrtë që digjet me sulfur. 21 Të tjerët u prenë me shpatën që dilte nga goja e Kalorësit.

Të gjithë shpendët u nginë me mishrat e tyre!

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Re > Zbulesa > Martesa mistike e Qengjit