Kapitujt

Mateu: 22. Shëmbëlltyra e kremtimit të dasmës

22

1 Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte:

2 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. 3 Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. 4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thuajini të ftuarve: gostinë e kam gati: i preva demat e mi e bagëtitë e majura! Gjthçka është gati! Ejani në dasmë!’

5 Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. 6 Të tjerët, pastaj, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. 7 Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre.

8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. 9 Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’

10 Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar.

11 Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: 12 “Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?” Ai s’e çeli gojën. 13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e hidheni jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ 14 Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.”

Pagimi i tatimeve Cezarit

(Mk 12, 13‑17; Lk 20, 20‑26)

15 Atëherë farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë. 16 Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t’i thënë:

“Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush: ti nuk shikon ç’pozitë kanë njerëzit! 17 Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatimi apo jo?”

18 Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha:

“Shtiracakë, pse po më sprovoni? 19 Ma tregoni monedhën e tatimit!”

20 Ata ia sollën një denar.

“E kujt është ‑ u tha ‑ kjo fytyrë e ky mbishkrim?”

21 “E Cezarit!” ‑ iu përgjigjën ata.

Atëherë Jezusi u tha:

“Jepini, pra, Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit.”

22 Kur e dëgjuan përgjigjen, u habitën, e lanë dhe shkuan.

Ringjallja e të vdekurve

(Mk 12, 18‑27; Lk 20, 27‑40)

23 Atë ditë erdhën tek ai disa saducenj që thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurish. Ata e pyetën:

24 “Mësues! Moisiu tha: ‘Nëse ndokush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij për t’i lindur vëllait të vet trashëgimtarë.’ 25 Tashti, ndër ne ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq e, pasi nuk pati fëmijë, ia la gruan vëllait të vet. 26 Kështu ndodhi me të dytin, me të tretin... deri tek i shtati. 27 Dikur, pas të gjithëve, vdiq edhe gruaja. 28 Në ringjallje, pra, gruaja e cilit ndër këta të shtatë do të jetë? Sepse, të gjithë e patën grua!”

29 “Ju jeni gabim ‑ u përgjigj Jezusi ‑ sepse nuk e merrni vesh Shkrimin e shenjtë as pushtetin e Perëndisë. 30 Sepse, në ringjallje as meshkujt s’marrin gra as femrat burra, por janë porsi engjëjt e Hyjit në qiell. 31 E për sa i përket ringjalljes së të vdekurve a nuk keni lexuar çka ju tha Hyji? 32 ‘Unë jam Hyji i Abrahamit, Hyji i Isakut, Hyji i Jakobit?’ Ai nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve!”

33 Kur e dëgjoi populli, u mrekullua nga mësimi i tij.

Më i madhi urdhërim

(Mk 12, 28‑34; Lk 10, 25‑28)

34 Farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan 35 dhe njëri prej tyre [mësues Ligji], për ta vënë në provë, e pyeti:

36 “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?”

37 Jezusi u përgjigj:

Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! 38 Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. 39 I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ 40 Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.”

Krishti, Biri dhe Zotëria i Davidit

(Mk 12, 35‑37; Lk 20, 41‑44)

41 Kur u bashkuan farisenjtë, Jezusi i pyeti:

42 “Çka mendoni për Mesinë? Biri i kujt është?”

“I Davidit.” ‑ iu përgjigjën ata.

43 Ai u tha:

“E si atëherë Davidi, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, e quan Zotërinë e vet, kur thotë:

44 ‘I tha Zoti Zotërisë tim:

rri në të djathtën time

derisa t’i vë armiqtë e tu

shtrojë për këmbët e tua?’

45 E nëse Davidi e mban për Zotëri të vetin, si mund ta ketë bir?”

46 Asnjëri s’qe i zoti t’i përgjigjë asnjë fjalë. E, që prej kësaj dite, askush s’guxoi ta pyesë më.

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Re > Mateu > Shëmbëlltyra e kremtimit të dasmës