
Kapitujt

Osea: 11. Zoti do ta huamarrë dashurinë e vet të papranuar
111 Kur Izraeli ende ishte djalë
unë e doja
e prej Egjiptit e thirra birin tim.
2 Por, sa më shumë i thirrja,
aq më tepër largoheshin prej meje;
baalëve fli u flijonin,
idhujve u digjnin kem.
3 E unë e mësoja Efraimin të ecte
vetë i mbartja para duarsh,
s’e kuptonin se për ta kujdesesha.
4 I tërhiqja me litarë për njerëz,
me zinxhirë të dashurisë;
isha për ta,
porsi ai që fëmijën e ngre
deri në mollëzat e veta,
përkulesha mbi të t’i jap të hajë.
5 Të kthehet në dheun e Egjiptit,
le t’i jetë Asuri mbret,
sepse s’deshën kah unë të kthehen!
6 Emnesë do të bëjë në qytete të tyre shpata,
murmuritësit do t’ia shuajë,
do t’i hajë për shkak të synimeve të tyre!
Dashuria do të ngadhënjejë
7 Është i gatshëm populli im
të mëkatojë kundër meje;
e ftojnë lart,
por askush nuk e ngre.
8 Si të heq dorë prej teje, Efraim,
të të dorëzoj ty, o Izrael?
Si të të lëshoj ty porsi Adamën,
të të bëj të ngjashëm me Seboimin?
Zemra ime në mua përmallohet,
në brendinë time flakë është ndezur dhimbja.
9 S’do ta shfryej zemërimin tim,
s’do të kthehem ta shpërndaj Efraimin,
sepse Hyj jam unë e jo njeri,
Shenjti në mesin tënd,
s’do të vij me tmerr.
Kthimi nga shpërngulja
10 Zotin do ta ndjekin;
do të ulërijë porsi luani,
po ai vetë do të ulërijë,
e me tmerr do të ngarendin fëmijët
nga perëndimi,
11 do të flut’rojnë porsi shpendët nga Egjipti
porsi pëllumbi nga Asyria.
Në shtëpi të tyre do t’i vendos.

Kapitujt
