
Kapitujt

Fjalët e urta: 27. Mos u lavdëro për të nesërmen
271 Mos u lavdëro për të nesërmen
pasi s’e di se ç’do të të sjellë dita.
2 Le të lavdërojë dikush tjetër e jo goja jote,
një i huaj, por jo buzët e tua.
3 I rëndë është guri, e rëndë është rëra,
por më i rëndë se të dy është zemërimi i të marrit.
4 Egërsi e zemërimi shpërthyes
dhe kush mund t’i qëndrojë përballë mendjes së zezë?
5 Më i mirë është qortimi ballafaqe
se dashuria e rreme.
6 Më të mira janë plagët e atij që të do
se të puthurat tradhtare të atij që të urren.
7 I ngopuri e shkel me këmbë edhe hojen e mjaltit,
kurse të uriturit çdo gjë e hidhur i vjen e ëmbël.
8 Porsi zogu që e ka humbur çerdhen e vet,
i tillë është njeriu që endet larg vendit të vet.
9 Me erëra të mira e me kem kënaqet zemra,
kështu edhe ëmbëlsia e mikut që këshillon çiltërisht.
10 Mos e braktis mikun tënd e mikun e babait tënd
dhe mos hyr në shtëpinë e vëllait tënd ditën e fatkeqësisë sate.
Më i mirë është fqinji afër se vëllai larg.
11 Biri im, bëhu i urtë dhe ma gëzo zemrën,
që të mund t’i përgjigjem atij që më shan.
12 I urti e sheh të keqen e fshihet,
kurse të marrët vazhdojnë përpara e ndëshkohen.
13 Merrja leshnikun atij që hyri dorëzanë për të huajin,
merrja pengun atij në vend të të huajit.
14 Kush më zë të lartë e bekon fqinjin herët në agim,
i numërohet sikurse e mallkon.
15 Pullazi që pikon në ditë të të ftohtit
dhe gruaja grindavece janë si njëra‑tjetra.
16 Ta ndalësh? Më sa mund të ndalet era
ose me dorë të mbahet vaji!
17 Hekuri me hekur mprehet
edhe njeriu në takimin me fqinjin e vet.
18 Kush e ruan fikun do të hajë prej frutave të tij,
edhe kush e ruan zotërinë e vet do të nderohet.
19 Sikurse uji është pasqyrë për fytyrë
ashtu zemra e njeriut për njeriun.
20 Nëntoka dhe Shfarosja kurrë nuk mbushen,
ashtu edhe sytë e njeriut kurrë nuk ngihen.
21 Sikurse argjendi që provohet në shkritore e ari në furrë,
ashtu edhe njeriu nga goja e atyre që e lëvdojnë.
22 Edhe nëse e rreh të marrin si elbin në shterë me shtypës
prej tij nuk do të hiqet marria.
23 Me vëmendje njihe gjendjen e bagëtive të tua,
me zemër kujdesohu për grigjat,
24 sepse pasuria nuk është e përhershme.
Pse, a thua se kurora trashëgohet brez pas brezi?
25 Mblidhet sana, del bari i gjelbër
e mblidhet tagjia prej bjeshkëve;
26 atëherë do të kesh qengjat për veshje
e kecat për të blerë arën
27 dhe s’do të të mungojë qumësht dhish për vete
as për ushqim të familjes e për shujtë të shërbëtoreve të tua.

Kapitujt
