Kapitujt

Fjalët e urta: 19. Më i mirë është skamnori që jeton me nder,

19

1 Më i mirë është skamnori që jeton me nder,

se prozhmuesi që është i marrë.

2 Zelli pa peshim s’është gjë e mirë

edhe kush ngutet merr në thua.

3 Marrëzia e vet njeriut ia prish jetën

e ai atëherë në zemrën e vet hidhërohet kundër Zotit.

4 Pasuria shton shumë miq;

kurse skmanori mënjanohet edhe prej mikut.

5 Dëshmitari i rrejshëm nuk do të mbetet i pandëshkuar,

manà s’do të shpëtojë ai që flet rrena.

6 Shumë janë nga ata që e lavdërojnë ndër sy të pushtetshmin,

e të gjithë janë miq me atë që shpërndan dhurata.

7 Njeriun e vobektë e urrejnë të gjithë vëllezërit e tij,

aq më tepër i largohen edhe miqtë e tij.

Mund të rrahë me buzë, por pa farë dobie.

8 Kush ka mend e do vetveten,

kush e ruan maturinë do të gjejë mirë.

9 Dëshmitari i rremë s’do të mbetet i pandëshkuar,

dhe do të mbarojë ai që shpërndan rrena.

10 S’i ka hije të marrit të jetojë në kënaqësitë

aq më pak skllavit t’u urdhërojë princave.

11 Urtësia e njeriut e bën atë ta zbutë hidhërimin

dhe lavdia e tij është të kalojë përmbi fyerjet.

12 Zemërimi i mbretit është si ulërima e luanit,

kurse porsi vesa mbi bar është hiri i tij.

13 Djali i marrë është rreziku i zi i babait,

kurse gruaja grindavece si pullazi që vazhdimisht pikon.

14 Shtëpi e pasuri trashëgohen prej të parëve,

kurse gruaja e mençur është dhuratë e Zotit.

15 Përtacia bie gjumë të rëndë,

njeriu i pakujdesshëm do të pësojë uri.

16 Kush i mban urdhërimet, ruan vetveten,

kurse kush nuk e kujdeson sjelljen e vet, sharron.

17 I huazon Zotit, kush ka mëshirë për skamnorin,

e Zoti do ta shpërblejë.

18 Deri që të ketë shpresë ndreqjeje,

ndëshkoje birin tënd,

por mos e tepro deri në vrasje.

19 Kush është i padurueshëm, le ta paguajë ndëshkimin,

e nëse e fal, e bën edhe më të zi.

20 Dëgjoje këshillin e pranoje disiplinën

që të jesh i urtë në ditët e tua të fundit.

21 Shumë sendërgjime ka në zemrën e njeriut,

por bëhet ashtu si është vullneti i Zotit.

22 Mirësia është ajo që e bën njeriun të duhet,

më i mirë është skamnori se gënjeshtari.

23 Frika e Zotit shpie në jetë,

dhe kush është plot me të s’ka pse e dron të keqen.

24 Përtaci e ngjyen dorën e vet në kupë,

por s’mund ta çojë deri në gojë të vet.

25 Bjeri përqeshësit, mëson mend edhe i marri,

nëse e ndëshkon të urtin, do ta marrë vesh dijen.

26 Kush e merr me të keq babain dhe e bën të ikë nënën,

është djalë i pandershëm dhe i poshtër.

27 Ki besim, o bir, ta dëgjosh mësimin

dhe s’do të gabohesh nga fjalët e urtisë.

28 Dëshmitari i keq e përqesh gjyqin

dhe goja e të paudhëve e përpin paurdhërinë.

29 Për përqeshës gati janë shkopinjtë

dhe të rënat për shpinë të të marrëve.

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > Fjalët e urta > Më i mirë është skamnori që jeton me nde...