
Kapitujt

Veprat e Apostujve: 23. Komploti i çifutëve kundër Palit
231 Pali ua nguli sytë anëtarëve të Këshillit të Lartë e tha:
“Vëllezër, deri në ditën e sotme kam jetuar para Hyjit me ndërgjegje të pastër.” 2 Porse kryeprifti, Anania, urdhëroi t’i bien shputë gojës ata që qëndronin afër Palit. 3 Pali atëherë i tha:
“Do të të bjerë ty Hyji, he mur i zbardhuar! A ti rri në seli për të më gjykuar sipas Ligjit, e ti vetë kundër Ligjit urdhëron të më rrahin?!”
4 Të pranishmit e përkujtuan:
“Si guxon ta nëmësh kryepriftin?”
5 “Nuk dita, vëllezër ‑ u përgjigj Pali ‑ se ky është kryeprifti. Sepse, vërtet, shkruan: ‘Kryetarin e popullit tënd mos e nëm!’”
6 Pali e dinte se ata ishin një pjesë saducenj e një pjesë farisenj, prandaj tha me zë të lartë në Këshill: “Vëllezër, unë jam farise dhe bir farisenjsh. Për shkak të shpresës në ngjalljen e të vdekurve jam këtu para gjyqit!”
7 Posa Pali i tha këto fjalë, nisi grindja mes farisenjsh e saducenjsh dhe u bë përçarje në mbledhje. 8 Saducenjtë, në të vërtetë thonë se nuk ka ngjallje, s’ka engjëj, s’ka shpirt; kurse farisenjtë i besojnë të gjitha këto. 9 U bë zhurmë e madhe. Atëherë disa skribë të sektit të farisenjve, u ngritën dhe kundërshtuan me guxim: “Ne nuk gjejmë ‑ thanë ‑ kurrfarë faji në këtë njeri. Çka atëherë, nëse i ka folur ndonjë shpirt ose ndonjë engjëll?” 10 Pasi zhurma shkonte duke u rritur, tribuni nisi të frikësohej mos po e kapin Palin e po e copëtojnë, prandaj urdhëroi të ulet ushtria, ta marrë prej mesit të tyre e ta çojë në kështjellë.
11 Natën më pas Zoti iu dëftua Palit dhe i tha:
“Aspak mos u tremb! Si ke dëshmuar për mua në Jerusalem, po ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë.”
Komploti i çifutëve kundër Palit
12 Kur zbardhi drita, çifutët bënë komplot dhe u përbetuan se as s’do të hanë as nuk do të pinë pa e mbytur Palin. 13 Ata që e bënë këtë përbetim ishin më tepër se dyzet vetë. 14 Shkuan te kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit e u thanë: “Me be jemi përbetuar të mos shijojmë asgjë me gojë para se ta mbysim Palin. 15 Prandaj ju, në marrëveshje me Këshillin, paraqitjani tribunit ta bjerë atë para jush gjasme dëshironi ta shqyrtoni më mirë çështjen e tij, e ne jemi gati ta mbysim para se ai të mbërrijë.”
16 Por për pritën mori vesh i biri i motrës së Palit, shkoi e hyri në kështjellë dhe i tregoi Palit. 17 Pali thirri një centurion dhe i tha: “Përcille këtë djalosh te tribuni! Ka diçka për t’i thënë:” 18 Ky e mori, e çoi te tribuni dhe i tha: “I burgosuri, Pali, më thirri e m’u lut ta përcjell këtë djalosh deri te ti se ka diçka për të të thënë.” 19 Tribuni e mori djaloshin për dore, e ndau veçmas dhe e pyeti:
“Çfarë lajmi ke për të më dëftuar?”
20 Ai i tha:
“Çifutët janë marrë vesh mes tyre të të bëjnë lutje t’ua çosh nesër Palin në Këshill, kinse duan ta hulumtojnë më imtësisht çështjen e tij. 21 Mos u beso, sepse i kanë vënë pritën më se dyzet vetë, të cilët janë përbetuar se as s’do të hanë as s’do të pinë para se ta mbysin Palin. Janë gati tani, veç presin pëlqimin tënd.”
22 Atëherë tribuni e nisi djaloshin dhe i urdhëroi: “Askujt mos i trego se ma ke sjellë këtë lajm.”
Pali dërgohet te Feliksi në Cezare
23 Atëherë tribuni grishi dy centurionë e tha: “Bëni gati dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës e dyqind shigjetarë që pas orës së tretë të natës të nisen për Cezare. 24 Le të bëhet gati edhe shtaza, në të cilën të udhëtojë Pali e të çohet shëndoshë te Feliksi, qeveritari. 25 Shkroi edhe një letër me këtë përmbajtje:
26 “Klaud Lizja
Shkëlqesisë së tij sundimtarit Feliks,
shëndet!
27 Këtë njeri e kapën çifutët dhe, pak para se ta vrisnin, u lëshova me ushtri dhe ua nxora duarsh, pasi mora vesh se është nënshtetas romak. 28 Desha të di për çka e paditnin, prandaj e çova në Këshillin e tyre. 29 Mora vesh se e paditnin për çështje të diskutueshme me Ligjin e tyre dhe se nuk kishte kurrfarë faji që të meritojë vdekjen ose burgun. 30 Si mora vesh, pastaj, se kundër tij kanë bërë një komplot, e nisa te ti menjëherë e paditësit e tij i njoftova të të drejtohen ty për sa kanë kundër tij.”
31 Ushtarët, pra, sipas urdhrit që patën, e morën Palin dhe natën e çuan në Antipatridë. 32 Të nesërmen i lanë kalorësit të vijojnë rrugën me të, kurse këmbësorët u kthyen në kështjellë. 33 Kur kalorësit arritën në Cezare, ia dorëzuan qeveritarit letrën dhe ia paraqitën Palin. 34 Pasi e lexoi letrën, e pyeti se prej cilës provincë ishte dhe, pasi mori vesh se ishte prej Cilicisë, 35 i tha: “Do të dëgjoj kur të vijnë edhe paditësit e tu.”
Atëherë dha urdhër të ruhet në pallatin e Herodit.

Kapitujt
