
Kapitujt

Veprat e Apostujve: 10. Pjetri dhe Korneli
101 Në Cezare ishte një njeri me emër Kornel, kapiten i togës së quajtur “Italike”, 2 njeri i përshpirtshëm dhe që besonte në Hyjin, si ai ashtu edhe familja e tij. I ndante popullit shumë lëmoshë dhe vazhdimisht i lutej Hyjit.
3 Ai pa qartë në një vegim diku rreth orës nëntë të ditës se si engjëlli i Hyjit hyri tek ai dhe i tha.
“Kornel!”
4 “Urdhëro, Zotëri!” ‑ ia ktheu Korneli duke ia ngulur sytë i frikësuar.
“Lutjet e tua dhe lëmoshët kanë arritur para Hyjit ‑ iu përgjigj engjëlli ‑ dhe ai të ka kujtuar. 5 Ti tani dërgoji disa njerëz në Jopë dhe grishe Simonin që quhet Pjetër. 6 Ai gjendet te një farë Simoni, lëkurëtar, që e ka shtëpinë afër detit.”
7 Posa shkoi engjëlli që foli me të, kapiteni i grishi dy shërbëtorë dhe një ushtarë të përshpirtshëm, prej atyre që i ishin dhënë për shërbim, 8 u tregoi gjithçka dhe i nisi për në Jopë.
9 Të nesërmen, ndërsa këta po bënin rrugë dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri rreth orës gjashtë, u ngjit në tarracë për t’u lutur. 10 U urit dhe dëshiroi të hajë. Ndërsa ata po i përgatitnin ushqimin, kaloi në vegim. 11 Shikonte qiellin e hapur dhe një gjë të papërcaktueshëm, porsi pëlhurë e madhe, të lidhur në katër këndet, që po zbriste nga qielli në tokë. 12 Në të ishin katërkëmbësh të ndryshëm, zvarranikë toke dhe shpendë qielli. 13 Ndërkaq i tha një zë: “Çohu, Pjetër, prej e ha!”
14 “Assesi, o Zot! ‑ iu përgjigj Pjetri ‑ Unë nuk kam shijuar kurrë me gojë kafshë të ndytë e të papastër!”
15 “Çka Hyji ka shpallur të pastër ‑ i tha ai zë të dytën herë ‑ ti mos e quaj të ndytë!”
16 Kjo u përsërit tri herë e atëherë ajo gjë u ngrit në qiell.
17 Ndërsa Pjetri po e vriste mendjen në vetvete se ç’kuptim kishte vegimi që pati, ja, njerëzit e dërguar prej Kornelit, pasi kishin pyetur andej e këndej për shtëpinë e Simonit, ia behën te dera, 18 thirrën dhe pyetën a mos ishte aty mik Simoni që quhet Pjetër.
19 Ndërsa Pjetri gjithnjë po mendonte lidhur me vegimin, Shpirti Shenjt i tha: “Ja, po të kërkojnë disa [dy] burra. 20 Çohu, pra, e shko me ta pa farë dyshimi se unë i kam dërguar.” 21 Pjetri zbriti te njerëzit dhe tha:
“Ja, unë jam ai të cilin kërkoni. Për çka keni ardhur?”
22 Ata iu përgjigjën:
“Kapiten Korneli, njeri i drejtë dhe që beson në Hyjin, për të cilin dëshmon mbarë populli hebre, qe porositur prej një engjëlli të shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e vet për t’i dëgjuar fjalët që ke për t’i thënë.”
23 Atëherë Pjetri i ftoi brenda dhe i përbujti.
Të nesërmen u çua dhe shkoi me ta. Disa vëllezër prej Jopës e përcollën Pjetrin. 24 Ditën e dytë arriti në Cezare. Korneli i priste; kishte grishur edhe farefisin e disa miq të ngushtë. 25 Kur Pjetri arriti, Korneli i doli para e, duke rënë ndër këmbët e tij, e adhuroi. 26 Pjetri e ngriti në këmbë dhe i tha: “Çohu në këmbë se edhe vetë jam vetëm njeri!” 27 E, duke biseduar me të, hyri brenda, ku gjeti të bashkuar shumë njerëz, 28 të cilëve u tha:
“Ju e dini mirë se një hebre e ka të ndaluar shoqërimin me të huaj ose t’u hyjë në shtëpi, porse vetë Hyji më mësoi se s’është e lejueshme të quhet i ndytë ose i papastër asnjë njeri. 29 Prandaj, kur më grishët, erdha pa kundërshtuar. Tani dëshiroj të di pse më keni grishur.”
30 “Para katër ditësh ‑ iu përgjigj Korneli ‑ pikërisht në këtë kohë, thosha në shtëpinë time lutjet e orës nëntë, kur ia behu një njeri në petka të shkëlqyeshme, zuri vend para meje 31 dhe tha: ‘Kornel, u vështrua lutja jote dhe u kujtuan lëmoshët e tua para Hyjit. 32 Dërgo, pra ndokënd në Jopë dhe grishe Simonin e quajtur Pjetër. Ai është mik në shtëpinë e Simonit lëkurëtar, afër detit.’ 33 Menjëherë dërgova njerëzit për ty dhe ti bëre mirë që erdhe. Ja, pra, të gjithë jemi bashkuar para Hyjit për të dëgjuar gjithçka Zoti të ka urdhëruar.”
Predikimi i Pjetrit në shtëpinë e Kornelit
34 Atëherë Pjetri mori fjalën e tha:
“Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, 35 përkundrazi ‑ në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë. 36 Ai u dërgoi Fjalën e vet izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve. 37 Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, 38 se si Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të. 39 Ne jemi dëshmitarë për gjithçka që bëri në mbarë krahinën e Judesë e në Jerusalem. E vranë “duke e varur në shtyllë”! 40 Hyji e ngjalli të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë 41 ‑ jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar ‑ neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej të vdekurish. 42 Ai edhe na urdhëroi t’i predikojmë popullit e t’i japim dëshmi se Jezusi prej Hyjit është caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. 43 Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të.”
Paganët marrin Shpirtin Shenjt
44 Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë ata që po dëgjonin predikimin. 45 Besimtarët e rrethprerë që kishin ardhur me Pjetrin, u çuditën kur panë se edhe në paganë u ndikua dhurata ‑ Shpirti Shenjt. 46 Sepse i dëgjuan duke folur gjuhë të ndryshme e duke madhëruar Hyjin. Atëherë Pjetri tha: 47 “Vallë a mund ta ndalojë kush ujin të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?” 48 Dhe urdhëroi të pagëzohen në emër të Jezu Krishtit. Atëherë iu lutën të qëndrojë me ta disa ditë.

Kapitujt
