
Kapitujt

Marku: 15. Jezusi para Pilatit
151 Menjëherë në mëngjes krerët e priftërinjëve mbajtën kuvend bashkë me pleq e me skribë ‑ mbarë Këshilli i lartë e, pasi Jezusin e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit. 2Pilati e pyeti:
“A je ti mbreti i judenjve?”
“Ti thua!” ‑ iu përgjigj Jezusi.
3 Kryepriftërinjtë e paditnin rëndë. 4 Pilati e pyeti përsëri:
“Pse s’po përgjigjesh asgjë? Shih se sa po të padisin!”
5 Jezusi s’u përgjigj më asgjë aq sa Pilati mbeti i habitur.
Jezusin e dënojnë me vdekje
(Mt 27, 15‑26; Lk 23, 13‑25; Gjn 18, 39‑19, 16)
6Pilati për çdo të kremte të Pashkëve u lëshonte atë të burgosur që ata kërkonin. 7 Në atë kohë ishte në burg një njeri që quhej Barabë, i burgosur bashkë me kryengritës të tjerë, të cilët në një kryengritje kishin bërë vrasje. 8 Njerëzit u ngjitën lart e filluan të kërkojnë prej Pilatit të bëjë atë që kishte zakon të bëjë për ta. 9 Pilati iu përgjigj:
“A doni t’jua lëshoj mbretin e hebrenjve?”
10 Sepse e dinte mirë se kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar prej smire. 11 Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën t’ua lëshojë më mirë Barabën. 12 Pilati foli përsëri dhe u tha:
“Çka (doni) të bëj me atë që (ju thoni se) është mbreti i judenjve?”
13 “Kryqëzoje!” ‑ bërtitën ata përsëri.
14 “Po ç’të keqe ka bërë?” ‑ u tha Pilati.
Por ata bërtitën edhe më të madhe: “Kryqëzoje!”
15 Pilati, duke dashur të kënaqë turmën ua lëshoi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dha ta kryqëzojnë.
Ushtarët përqeshin Jezusin
(Mt 27, 27‑3l; Gjn 19, 2‑3)
16 Ushtarët e shtinë Jezusin brenda pallatit ‑ d. m. th. në pretorium, dhe e bashkuan mbarë kohortën.
17 E veshën me mantel të kuq dhe në kokë i vunë një kurorë të gërshetuar me ferra. 18 Atëherë filluan ta përshëndesin: “Të falemi, mbreti i judenjve!” 19 Dhe i binin kresë me kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar para tij, gjasme e nderonin. 20 Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, ia veshën petkat e tij dhe e hodhën përjashta për ta kryqëzuar.
Jezusin e kryqëzojnë
(Mt 27, 32‑44; Lk 23, 26‑43; Gjn 19, 17‑27)
21 Ushtarët e detyruan një kalimtar që po kthehej nga fusha, Simonin prej Cirenës, babanë e Aleksandrit e të Rufit, të mbartë kryqin e Jezusit.
22 Jezusin e çuan në një vend që quhet Golgota, që në përkthim do të thotë: ‘Vendi i Kafkës’. 23 I dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.
24 Atëherë e kryqëzuan dhe:
‘i ndanë petkat e tij,
duke hedhur short’ ‑ çka t’i bjerë secilit.
25 Ishte ora tre kur e kryqëzuan.
26 Ishte i shkruar mbishkrimi i fajit të tij: “Mbreti i judenjve.” 27 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy cuba, njërin në anën e tij të djathtë, kurse tjetrin në të majtën e tij. [28].
29 Kalimtarët e shanin ‘duke tundur kokën’ e thoshin: “Hej, ti që e rrënon Tempullin dhe e rindërton për tri ditë, 30 shpëtoje, deh, veten, zbrit prej kryqit!” 31 Po ashtu edhe kryepriftërinjtë e skribët e vinin në lojë me njëri-tjetrin dhe thoshin: “Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë! 32 Mesia! Mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim e të besojmë!” E fyenin edhe ata që ishin të kryqëzuar me të.
Vdekja e Jezusit
(Mt 27, 45‑56; Lk 23, 44‑49; Gjn 19, 28‑30)
33 Kur u bë ora gjashtë errësira e mbuloi mbarë dheun deri në orën nëntë. 34 Në orën nëntë Jezusi lëshoi një gjëmë të madhe: “Eloi, Eloi, lema sabahthani?” 35 Që përkthehet: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?” Disa prej atyre që ishin pranë, kur e dëgjuan, thanë: “Ja, po thërret Elinë!”
36 Njëri prej tyre u lëshua me vrap, e lagu shpuzën në ‘uthull’, e vuri në kallam, ia dha ta ‘pijë’ duke thënë: “Lëreni të shohim pale a po vjen Elia ta ulë nga kryqi!”
37 Jezusi lëshoi një britmë të madhe ‑ e dha shpirt.
38 Atëherë perdja e Tempullit u nda më dysh prej majës e deri në fund. 39 Centurioni që rrinte përballë Jezusit, kur pa se si i doli shpirti, tha:
“Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri i Hyjit!”
40 Prej së largu vërenin edhe disa gra. Ndër to ishte: Maria Magdalenë, Maria, nëna e Jakobit të Ri dhe e Jozefit, edhe Saloma, 41 të cilat e kishin përcjellë dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile, edhe shumë të tjera që me të u ngjitën në Jerusalem.
Varrimi i Jezusit
(Mt 27, 57‑61; Lk 23, 50‑56; Gjn 19, 38‑42)
42 Kur u bë natë dhe, pasi ishte përgatitja ‑ d. m. th. nata e së shtunës ‑ 43 erdhi Jozefi prej Arimatesë, këshilltar i shquar e që edhe ai priste Mbretërinë e Hyjit, mori guxim dhe hyri te Pilati e ia lypi trupin e Jezusit. 44 Pilati, i habitur se kishte vdekur, thirri centurionin dhe e pyeti a kishte vdekur tashmë. 45 Si mori vesh prej centurionit, ia dhuroi trupin Jozefit. 46 Ky bleu pëlhurën, e uli nga kryqi Jezusin, e mbështolli në pëlhurë dhe e futi në varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur në grykë të varrit.
47 Maria Magdalenë e Maria e Jozefit shikuan ku e vunë.

Kapitujt
