
Kapitujt

1 e Korintasve: 3. Edukimi i njerëzve për Hyjin
31 E vetë, vëllezër, nuk munda t’ju predikoj porsi njerëzve shpirtërorë, por porsi qenieve tokësore, porsi foshnjave në Krishtin. 2 Ju dhashë të pini qumësht e jo ushqime të forta, sepse ende nuk mund t’i bluanit. Po, madje as tani s’jeni në gjendje, 3 sepse ende jeni tokësorë. Dhe, njëmend, derisa në mes jush të ketë smirë e grindje, a thua nuk jeni tokësorë, a thua nuk silleni në mënyrën e njeriut thjesht lëndor? 4 Sepse, kur ndonjëri thotë: “Unë jam i Palit” e një tjetër: “Unë jam i Apolit”, a nuk jeni vetëm njerëz thjesht natyrorë?
5 Po çka është Apoli? Çka është Pali? Shërbëtorë, me anë të të cilëve ju e pranuat fenë. Secili veproi sipas dhuratave që Hyji i dha: 6 Unë mbolla, Apoli lagu, por Hyji bëri që të rritet. 7 Kështu: nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. 8 Ai që mbjell e ai që lag janë të barabartë. Secili sipas mundit që të ketë bërë, do ta marrë shpërblimin. 9 Sepse ne punojmë së bashku në punën e Hyjit; e ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.
10 Sipas hirit që Hyji ma ka dhënë, unë, porsi arkitekt i mirë, vura themelin, një tjetër vazhdon me mur mbi të; por secili t’ia vërë mendjen si ndërton. 11 Sepse, askush nuk mund të vërë tjetër themel, përveç atij që është vënë, e ai është Jezu Krishti. 12 Kushdo të ndërtojë mbi këtë themel me ar, me argjend, me gur të paçmueshëm, me dru, me sanë, me kashtë ‑ 13 vepra e secilit do të dalë në dritë. Ajo Ditë do ta tregojë, sepse do të vijë me zjarr, e zjarri do ta provojë cilësinë e veprës të secilit. 14 Ai, vepra e të cilit do të qëndrojë, do të marrë shpërblimin. 15 Po iu dogj vepra ndokujt, ai do të pësojë dëm; njëmend do të shëlbohet, por si ai që shpëton nëpër zjarr.
16 Po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju? 17
Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë ‑ e ky Tempull jeni ju!
18 Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. 19 Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.’
20 dhe përsëri:
‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve,
e di se janë të kota.’
21 Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: 22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja, 23 ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!

Kapitujt
