
Kapitujt

Sofonia: 3. Kundër drejtuesve të kombit
31 Vaj për ty, qytet kryengritës,
i papastër e i dhunshëm!
2 S’e dëgjoi thirrjen,
s’pranoi qortimin!
Në Zotin nuk pati besim,
Hyjit të vet nuk iu afrua!
3 Mes tij princat e tij
luanë ulëritës;
gjykatësit bishë shkretëtire
që asht s’ruajnë për mëngjes!
4 Profetët e tij fjalëmëdhenj,
njerëz rrenacakë!
Priftërinjtë e tij dhunojnë Shenjtëroren,
dhunë i bëjnë Ligjit!
5 Në mes të tij i drejtë është Zoti,
s’bën paudhësi;
çdo mëngjes e dëfton të drejtën,
porsi dritën që kurrë s’mungon.
Por i paudhi s’di ç’është turpi!
Mësimi i kombeve
6 “I shkallmova popujt,
i rrënova pirgjet e tyre,
i shkretova udhët e tyre:
askush nëpër to s’kalon!
Ua shova të gjitha qytetet,
kështu që s’mbeti asnjë banues!
7 Mendova: Tani do të më duash,
do të ma pranosh mësimin!
S’do të zhduken prej syve të tyre
ndëshkimet që unë ua solla!
Por jo! Shpejtuan t’i prishin
të gjitha veprimet e veta!
8 Prandaj, më prit ku je!
‑ është fjala e Zotit ‑
ditën kur të ngrihem paditës,
sepse vendosa të bashkoj popujt
tok t’i mbledh mbretëritë,
që ta zbraz mbi ta zemërimin,
tërë hidhërimin e zemërimit tim:
në flakadanin e zellit tim
do të përpihet toka mbarë!”
IV. PREMTIMET
Kthimi i popujve paganë
9 Atëherë popujve do t’ua bëj
buzët e pastërta,
që të gjithë të thërrasin emrin e Zotit
e krahakrahas t’i shërbejnë!
10 Prej përtej lumenjve të Etiopisë,
që prej andej të devotëshmit e mi,
bijtë e të treturve të mi,
dhuratë do të më sjellin!
Teprica e përvuajtur e Izraelit
11 “Po atë ditë turp më s’do të kesh
për asgjë që ke vepruar
duke u ngritur kundër meje,
sepse atëherë prej teje do të largoj
fjalëmëdhenjtë, krenarët e tu,
e s’do të vazhdosh më të krenohesh
përmbi Malin tim të shenjtë!
12 Do të bëj në mjedisin tënd të qëndrojë
populli i përvuajtur e i varfër!
Në emër të Zotit do të kërkojë strehim
Teprica e Izraelit.
13 Paudhësi nuk do të bëjnë më,
rrena më nuk do të thonë,
në gojë të tyre s’do të gjendet më
gjuhë gënjyese!
Por do të kullosin e do të mrizojnë
pa pasur kush t’i shqetësojë!”
Psalme gëzimi për Sionin
14 Këndo hareshëm, bija e Sionit,
thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael!
Gëzo e galdo me gjithë zemër,
ti, bija e Jerusalemit!
15 E tërhoq Zoti dënimin tënd,
i shpërndau larg armiqtë e tu.
Mbret i Izraelit është Zoti mes teje,
s’ke pse më ta druash të keqen!
16 Jerusalemit atë ditë do t’i thuhet:
“Frikë aspak mos ki, Sion,
assesi të mos mpaken duart!
17 Në mesin tënd është Zoti Hyji yt,
trim mbi trima Shpëtimtar!
Do të galdojë për ty hareshëm,
i përmalluar nga dashuria,
do të kërcejë për ty me gëzim
18 porsi në ditë feste.”
Kthimi i të shpërngulurve
“Do ta tres prej teje fatkeqësinë
që kurrë më të mos jesh poshtëruar.
19 Ja, unë vetë do t’ua tres farën
të gjithë atyre që të kanë përndjekur.
Në atë kohë do ta shpëtoj çalamanin,
do ta sjell të humburën.
Do t’u jap nder e emër të madh
në çdo vend ku qenë poshtëruar.
20 Po në atë kohë unë do t’ju kthej,
po në atë kohë do t’ju bashkoj,
do t’ju jap zë të madh e nder
në sy të mbarë popujve të tokës,
kur ta kryej ripërtëritjen tuaj
‑ thotë Zoti ‑ po në sytë tuaj!”

Kapitujt
