
Kapitujt

Nahumi: 3. qytet gjakësor
31 Vaj për ty, qytet gjakësor,
plot me rrena,
plot rrëmbime!
Prej teje s’do të zhduket preja!
2 Fërshëllejnë frushkujt,
rropatin rrotat,
tërfullejnë kalorësit,
3 shkëlqejnë shpatat,
ndriçojnë heshtat,
shumicë të vrarësh,
grumbuj të vdekurish:
të panumërta janë kufomat,
nëpër to haset në thua!
4 Shkaku i këtyre?
Fëlligështia e lavires,
e bukuroshes, joshëses, zanueses,
që i ngashnjeu me lavirësi të vet popujt,
me shitime të veta kombet!
5 “A më prit! Ku je?
‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑
Do t’i çoj petkat deri në faqe,
para popujve para mbretërive,
trupin tënd do të ta qes lakuriq!
6 Do të të mbulojë turp e turp,
do të të çnderoj,
për poshtërsi do të bëhesh shembull.
7 E do të ndodhë:
Kushdo të të shikojë
do të mbesë shtang edhe do të thotë:
“U rrënua Niniva!
A do të ketë kush dhimbje për ty?
Ku ta kërkoj ngushëlluesin tënd?”
Shembulli i Tebes
8 Pse a më e mirë je se Noamoni
që shtrihej përmbi lumenj?
I rrethuar gjithkah me ujë:
ledh mburojës përpara deti
e për mure mbrojtëse ujërat!
9 Kúsi ishte forca e tij
e Egjipti që s’ka kufi,
ndihmë i ishin futë edhe libianë!
10 Por edhe ai qe tretur në mërgim,
shkoi në skllavëri.
Fëmijët e tij qene shkapatur
në udhëkryqe të të gjitha shesheve.
Mbi fisnikët e tij short hodhën,
iu mbërthye në pranga gjithë paria.
11 Edhe ti, pra, do të trullosesh,
do të përbuzesh
e prej armiqve
strehim do të kërkosh.
Niniva kot përgatitet për mbrojtje
12 Fortesat e tua janë si fiku
i ngarkuar me fiq të lashtë:
posa të shkundet
në gojë i bien atij që i ha!
13 Shiko popullin që të ka mbetur:
s’të mbeti tjetër përveç gra!
Dyert e vendit tënd po hapen
dy kapakësh për armiqtë e tu,
zjarri i përlau shulat e dyerve!
14 Nxirr ujë për rrethim,
forcoji mirë pirgjet e tua;
hyr në baltë, shqelmo argjilën,
merre kallëpin e tullave!
15 Aty zjarri do të të përpijë,
shpata farën do të ta tresë.
Dërgimi i karkalecave
Shtohu, ani, porsi vemja,
shumohu si karkaleci.
16 Më shumë bëre për vete tregtarë
se sa yjet e përhapur në qiell,
17a Rojat e tua si karkaleci,
shemb kandrrash shkruesit e tu
që kapen në gardh
kur bën të ftohtë;
lindi dielli,
16b karkaleci e hoqi lëkurën
e fluturoi:
17b fluturuan s’dihet se ku!
Vajtim i përmortshëm
18 O ti, mbreti i Asirisë,
i zuri gjumi barinjtë e tu,
po koten princat e tu,
populli yt u shpërnda në male,
burrë nuk ka që t’i bashkojë!
19 Thyerja jote s’ka shërim,
e pashërueshme është plaga jote!
Kush dëgjon ç’thuhet për ty,
përmbi ty i rreh shuplakat.
E njëmend, kush s’e sprovoi
vazhdimisht egërsinë tënde?!

Kapitujt
