
Kapitujt

Romakëve: 7. Krahasim me martesë
71 Apo ndoshta nuk e dini, o vëllezër, ‑ po flas me njerëz që e njohin Ligjin ‑ se Ligji e detyron njeriun derisa ai është në jetë? 2 Kështu gruaja e martuar është e lidhur me burrin prej ligjit derisa ai është gjallë; por, po i vdiq burri, është e lirë prej ligjit që e lidhte me burrin. 3 Pra, derisa ta ketë burrin gjallë, po shkoi me ndonjë tjetër, do të quhet kurorëthyese. Por, po qe se i vdes burri, është e lirë prej ligjit dhe nuk është kurorëthyese, nëse martohet me një burrë tjetër.
4 Kështu, vëllezërit e mi, edhe ju, në saje të trupit të Krishtit, vdiqët kundrejt Ligjit, që t’i përkitni një tjetri ‑ Atij që u ngjall nga të vdekurit ‑ që të japim fryte për Hyjin. 5 E njëmend, kur ne ishim ende nën sundimin e mishit, prirjet e mëkateve, të ngacmuara nga Ligji, vepronin në gjymtyrët tona që të jepnim fryte për vdekje. 6 E tani u liruam nga pushteti i Ligjit, pasi vdiqëm për natyrën e vjetër që na mbante në robëri, kështu që ne shërbejmë në një jetë të re të Shpirtit Shenjt, e jo më në jetën e vjetër të shkronjës.
Roli i Ligjit
7 Çka të themi atëherë? Se Ligji është mëkat? Mos, o Zot! Porse: për mëkatin nuk dita përveçse me anë të Ligjit, sepse nuk do të dija për prirje të keqe po të mos kishte thënë Ligji: “Mos lakmo!” 8 E mëkati, duke marrë rastin me anë të urdhrit, lindi në mua çdo lloj lakmimi. Sepse, pa Ligj, mëkati është i vdekur.
9 Po, unë dikur jetoja pa Ligj, por, kur erdhi urdhri, u ngjall mëkati, 10 e unë vdiqa. Kështu u pa se urdhri që duhej të më sillte jetën, më solli vdekjen, 11 sepse mëkati gjeti rastin që, me anë të urdhrit të më gënjejë dhe me anë të tij më vrau. 12 Kështu, pra, Ligji është i shenjtë, edhe urdhri është i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.
13 Po si atëherë një gjë e mirë për mua u bë vdekje? Kurrsesi! Porse, mëkati, duke u shërbyer me një gjë të mirë, për t’u treguar mëkat, më shkaktoi vdekjen ‑ që mëkati të bëhet me anë të urdhrit, mëkatar më i madh.
14 Dhe e dimë: Ligji është shpirtëror, kurse unë jam qenie trupore e shitur mëkatit si skllav. 15 Dhe, vërtet, nuk di çfarë veproj, sepse nuk bëj çka dëshiroj, por, përkundrazi, bëj çka urrej. 16 Tashti, nëse bëj çka nuk kisha dashur, jam në përkim me Ligjin dhe pranoj se është i mirë. 17 Atëherë, nuk jam unë ai që vepron ashtu, por mëkati që është në mua. 18 Dhe e di se e mira nuk banon në mua ‑ d. m. th. në natyrën time trupore: sepse ta dua të mirën jam i zoti, por jo edhe të veproj të mirën, 19 pasi nuk bëj të mirën që dua, por të keqen që nuk e dëshiroj, atë bëj. 20 Në qoftë, pra, se bëj atë që [unë] nuk do të dëshiroja ta bëja, kurrsesi nuk jam ai që e bëj atë, por mëkati që banon në mua.
21 Gjej, pra, se është ky ligj: kur dua të bëj të mirën, më vjen përdoresh e keqja. 22 Në qenien time të brendshme me kënaqje të plotë përkoj me Ligjin e Hyjit, 23 porse hetoj në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, i cili lufton kundër ligjit të arsyes sime dhe më robëron me ligjin e mëkatit, që banon në gjymtyrët e mia.
24 Oh sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që i përket vdekjes? 25 Lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë! Prandaj: unë me mendje i shërbej Ligjit të Hyjit, kurse me trup ligjit të mëkatit.

Kapitujt
