Kapitujt

Galatasve: 5. Fryti i Shpirtit Shenjt dhe veprat e mishit

5

1 Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t’ju zënë në zgjedhën e skllavërisë!

2 Ja, unë, Pali, po ju them: në qoftë se rrethpriteni, Krishti më s’do t’ju vlejë asgjë! 3 Përsëri dua t’ju vë në dijeni: çdo njeri që rrethpritet, e detyron vetveten ta zbatojë mbarë Ligjin. 4 I këputët marrëdhëniet me Krishtin, ju që e themeloni shfajësimin në Ligj: keni rënë nga hiri. 5 Sepse ne nëpër Shpirtin Shenjt e presim me anë të fesë drejtësinë që e shpresojmë. 6 E njëmend, në Jezu Krishtin nuk vlen gjë as rrethprerja as parrethprerja, por ‑ feja që vepron me dashuri.

7 Aq bukur vraponit! Po kush qe ai që ju pengoi e tani nuk i nënshtroheni më të vërtetës? 8 Një bindje e tillë me siguri nuk vjen prej Atij që ju grish! 9 Pak tharm e mbrun të gjithë brumin. 10 E, lidhur me ju, shpresoj në Zotin, se nuk do të merrni një drejtim tjetër. E ai që ju turbullon, kushdo qoftë, do ta marrë dënimin.

11 E unë, o vëllezër, po ta predikoja gjithnjë rrethprerjen, përse do të vazhdonin të më salvojnë? Atëherë mbetka pa fuqi skandali i kryqit! 12 E bëftë Zoti e veten e gjymtofshin ata që mbjellin turbullime ndër ju!

13 Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! Por, kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si do trupi, por ‑ me dashuri shërbejini njëri‑tjetrit! 14 Sepse i tërë Ligji përmblidhet në këtë urdhër: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” 15 Nëse njëri‑tjetrin nuk e lini në paqe me fjalë dhe ia breni njëri-tjetrit jetën me ngatërresa, hapni sytë: po e qitni fare njëri‑tjetrin!

Fryti i Shpirtit Shenjt dhe veprat e mishit

16 Dua të them: jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. 17 Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim me njëri-tjetrin që të mos bëni çka dëshironi. 18 E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar Ligjit.

19 Tashti, veprat e mishit e të gjakut janë të njohura. Ato janë: fëlligështia, papastërtia, shfrenia, 20 idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi, ngacmimet, dasitë, mospërkimet, 21 zilitë, zdërhalljet, ndejat me pije e qejfe e të tjera si këto. Lidhur me këto po ju vë në dijeni që tani, siç jua thashë më parë: kush i bën këto, nuk do ta trashëgojë Mbretërinë e Hyjit.

22 Kurse fryti i shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, 23 butësia, përkormëria. Kundër këtyre nuk ka ligj.

24 Ata që janë të Krishtit [Jezus] e kryqëzuan trupin e vet bashkë me prirjet dhe dëshirat e ulëta.

25 Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, edhe të udhëheqemi nën drejtimin e Shpirtit Shenjt. 26 Mos të jepemi pas lavdisë së kotë! Mos ta ngacmojmë njëri‑tjetrin! Mos t’ia kemi smirë njëri‑tjetrit!

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Re > Galatasve > Fryti i Shpirtit Shenjt dhe veprat e mis...