
Kapitujt

1 e Timoteut: 5. Si një familje e vetme
51 Me plakun mos ji i ashpër, por qortoje si ta kishe baba, të rinjtë porsi vëllezër, 2 plakat si nëna, të rejat si motra ‑ me plot pastërti.
3 Vejushat nderoji ‑ ato që janë vërtet vejusha. 4 Por, në qoftë se ndonjë vejushë ka fëmijë ose nipa, më së pari ata le të dinë të dëftojnë nderim ndaj familjes së vet, dhe t’ua kthejnë shpërblimin prindërve të vet, sepse kjo gjë i pëlqen Hyjit. 5 Ajo që është vërtet vejushë ‑ krejtësisht e vetme: ajo e vë shpresën në Hyjin dhe jepet pas lutjes dhe uratës natë e ditë; 6 kurse, ajo që jepet pas ëndjeve, edhe pse e gjallë, është e vdekur. 7 Pikërisht këto gjëra porositi që të jenë të patëmeta . 8 Në qoftë se ndokush nuk është i kujdesshëm për të vetët, sidomos për anëtarët e familjes, i ka rënë mohit fesë dhe është më i keq se i pafeu.
9 Në regjistrin për vejusha të shkruhet vejusha jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, një herë e martuar, 10 që ka dëshminë e veprave të mira: që i ka rritur fëmijët, që ka qenë mikpritëse, që u ka larë këmbët shenjtërve, që ka ndihmuar nevojtarët, që i është kushtuar çdo vepre të mirë. 11 Vejushat më të reja mos i prano, sepse, kur epshi i largon prej Krishtit, kërkojnë të martohen. 12 Po kështu meritojnë dënimin pse e shkelën besnikërinë e parë. 13 Për më tepër, duke mos punuar, mësojnë të shëtisin shtëpi më shtëpi e janë, jo veçse të papuna, por edhe shpërhallëse, kureshtare dhe flasin çka s’duhet. 14 Dua, pra, që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen shtëpiake që të mos i japin kundërshtarit asnjë shkak të flasë keq. 15 Sepse tashmë disa i morën rrugët e djallit. 16 Në qoftë se ndonjë besimtare ka me vete gra të veja, le t’u ndihmojë e të mos i bëhen barrë Kishës, që të mund t’u ndihmojë atyre që vërtet janë të veja.
17 Udhëheqësit që e kryejnë mirë parësinë në Kishë, meritojnë nderim të dyfishtë, sidomos ata që punojnë rreth fjalës së Hyjit dhe dhënies së mësimit. 18 Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: “Kaut që shin në lëmë, mos ia lidh gojën!” Edhe: “Punëtorit i takon paga e tij.” 19 Padinë kundër udhëheqësit mos e prano veç në bazë të dy ose tre dëshmitarëve. 20 Fajtorët qortoji ndër sy të të gjithëve që të tremben edhe të tjerët. 21 Po të lëshoj be para Hyjit, para Krishtit Jezus dhe para engjëjve të zgjedhur, që t’i mbahesh kësaj rregulle pa paragjykime dhe kurrë mos bëj gjë me krahambajtje.
22 Askujt mos i vër duart me ngutësi! Mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve! Ruaje veten të pastër!
23 Mos pi më vetëm ujë, por pi ngapak verë për shkak të stomakut dhe të sëmundjeve të tua të shpeshta.
24 Mëkatet e disa njerëzve dalin në shesh edhe përpara gjyqit, kurse të disa të tjerëve pas gjyqit. 25 Po ashtu edhe veprat e mira dalin në shesh; por edhe ato që janë ndryshe, nuk mund të mbesin të fshehta.

Kapitujt
