Besëlidhja e Vjetër
Pesëlibërshi

Pesë librat e parë të Biblës përbëjnë një tërësi, të cilën hebrenjtë e quajnë Tora - Ligji. Këta pesë libra, që në fillim të krishterimit, u quajtën me një emër: Pesëlibërsh. Emërtimi vjen nga greqishtja (që i quan) Pentateukos (biblos) - Libri pesëvëllimësh ose Pesëlibërshi. Se u nda kështu që në kohët e lashta na e vërteton përkthimi greqisht i të Shtatëdhjetëve LXX. Këta përkthyes, sipas përmbajtjes, ia ngjitën emrin secilit prej tyre.
Janë këta pesë:
1. Zanafilla (mund të përkthehet edhe me: Të bërët, Prejardhja) genesis;
2. Dalja Exodos
3. Levitiku Levitikon
4. Numrat Arithmoi
5. Ligji i përtërirë Deuteronomion (Ligji i dytë).
Emërtimi që përdorin hebrenjtë: merret fjala e parë e librit ose edhe fjala e parë më e rëndësishme.
Pesëlibërshi përbën një tërësi të veçantë. Pikat thelbësore janë: fillimi i rruzullit, i njeriut, i Popullit të zgjedhur dhe përgatitja përfundimtare për të hyrë në tokën e premtuar. Rreth këtyre dy gjërave kryesore gërshetohen të dhënat e tjera historike të zhvillimit të popullit të Izraelit si popull me ngjarjet dhe formimin e tij si popull: të dalët nga skllavëria egjiptiane, të zgjedhurit si popull i Hyjit, lidhja e Besëlidhjes, Ligji... Me kohë këto ngjarje do të merren si një dhuratë e veçantë e Hyjit ndaj popullit të Izraelit dhe do të simbolizojnë shëlbimin përfundimtar. Në këtë edhe (duhet të) shihet karakteri thjesht dhe thellë fetar i Pesëlibërshit dhe i tërë Biblës është, pra, kjo histori religjioze, që biblistëve u pëlqen ta quajnë, historia e shëlbimit.
Historia e popullit të Izraelit fillon me çlirimin nga skllavëria egjiptiane dhe themelimin e Besëlidhjes së Sinait. Çka sjell Bibla para kësaj kohe, janë shkoqitje të gjeniut hebre të të dhënave të ndryshme të popujve të tjerë apo edhe shtjellime të tyre lidhur me çështjet jetësore e gjithmonë të rëndësishme të njerëzve me aftësi mendore të mëdha, ndër ta është domosdo Moisiu, edhe pse jo i vetmi që zë vendin e parë. Pas të dhënave të gojëdhënave të ndryshme, më vonë shtjellohen ngjarjet sipas aftësisë dhe mënyrës së mendimit dhe të dijes së kohës e të vendeve.
Lidhur me krijimin e Pesëlibërshit ka shumë hipoteza, por ajo që sot për sot është më tepër e pranuar, edhe pse ka kundërshtime, është hipoteza e gojëdhënave. Biblistët e sotëm këto gojëdhëna i ndajnë në katër të tillë.
E ato janë:
a) Gojëdhëna jahviste e emërtuar kështu, sepse Hyjin e quan Jahve. Ka fjalor të veçantë, stil të gjallë plastik dhe figurativ. Historinë e rënies dhe të prishjes së njeriut e shndërron në historinë e shëlbimit me ndërmarrje të veçantë të vetë Krijuesit. Kësaj gojëdhëne i mbështetet ligji jahvist (Dl 34).
Mendohet se burimi i saj është në Jude.
b) Gojëdhëna elohiste e emërtuar kështu, sepse Hyjin e quan Elohim. Në këtë gojëdhënë takimi i Hyjit me njeriun është më pak material; fjalori është më i varfër e antropomorfizma ka shumë pak apo aspak.
Kësaj gojëdhëne i mbështetet ligji elohist (Dl 21 23).
Burimin duket se e ka në fiset e veriut.
c) Gojëdhëna priftërore e emërtuar kështu, sepse mendohet se bartësit dhe krijuesit e saj ishin priftërinjtë e Tempullit të Jerusalemit. Flet për Aronin dhe për priftërinjtë, për ligjet e përgjithshme të Daljes (me përjashtim të ligjit jahvist dhe elohist që u përmendën) dhe për ligjet e Lev. dhe të Nr. Mendohet se bartësit e kësaj gojëdhëne qenë ata që ia dhanë Pesëlibërshit trajtën përfundimtare që arriti në kohën tonë.
ç) Gojëdhëna deuteronomiste kjo gojëdhënë gjendet në librin e fundit të Pesëlibërshit, në Ligjin e përtërirë. Ky libër greqisht quhet Deuteronomion Ligji i dytë këndej i përtërirë, sepse përsërit ligjet e mëparshme, sidomos ato që prej Horebit e më këtej. U shkrua me qëllim që të vinte në pah dashurinë, kujdesin dhe përkrahjen e veçantë të Hyjit ndaj Izraelit. Po ky ndikim ndihet gjithashtu edhe në disa libra të tjerë jashtë Pesëlibërshit si në Librin e Jozuehit, në Gjyqtarët, në Librat mbi Samuelin dhe në Librat mbi Mbretërit.
Duket se kjo gojëdhënë e ka burimin e vet në fiset e veriut dhe me sa duket, pasi ra mbretëria e Izraelit, levitët e atyre fiseve, e sollën në Tempullin e Jerusalemit.
Gojëdhëna jahviste gjendet në Zan. që nga kr 2 e më tutje, në D1 dhe në Nr.
Gojëdhëna elohiste gjendet në tre librat e parë.
Gojëdhëna priftërore fillon që në Zan 1 dhe vazhdon në dy librat e tjerë, kurse Lev është i tëri i kësaj gojëdhëne.
Kështu, në Zan, D1 dhe Nr janë të gërshetuara dhe të shkrira të tri gojëdhënat; Lev i përket vetëm gojëdhënës priftërore, kurse gojëdhënës deuteronomiste i përket i tërë Ligji i përtërirë.
Në Pesëlibërshin, pra, si shihet, shkrihen gojëdhëna të ndryshme. Ato janë trashëgim i marrë nga Moisiu që, më vonë, u përpiluan dhe u renditën sipas rrethanave dhe nevojave të kohës, të njerëzve e të vendit. Në këtë mënyrë Moisiu mund të mbahet autor i Pesëlibërshit në vështrimin më të gjerë të fjalës, sepse ai si protagonist me paraqitje, veprimtari dhe ligjdhënie e, sipas shumë gjasave, edhe me ndonjë shkrim të lënë pas, i vuri themelet kombësisë hebrenje, besimit, ligjeve dhe gojëdhënave, këndej edhe vetë librat, në këtë vështrim, mund ta mbajnë emrin e tij.
Edhe këtu duhet të vihet në dukje, çka vlen pak a shumë, për të gjithë librat e Biblës se një autor, pothuajse, ia shtrin puplën një autori tjetër, dhe atë, ndoshta, shumë herë një numër i madh njerëzish e vazhduan apo e përshtatën, sipas nevojës së njerëzve apo të kohës, atë që shkroi ai. Sepse, rrallë mund të gjendet ndonjë libër i kohëve të lashta që të jetë shkruar prej vetëm një autori. Kjo vlen posaçërisht për Shkrimin e shenjtë. Por, shumë prej tyre e stilizuan, e përmirësuan dhe e përshtatën. Njëmend, librat e Shkrimit të shenjtë u shkruan nën ndikimin e frymëzimin e Hyjit, por prapëseprapë libri mbiu, u rrit dhe lëshoi shtat deri në trajtën që arriti në kohën tonë, bashkë me jetën dhe me kohën.