Kapitujt

Jeremia: 19. Vegshi i thyer dhe rragatja me Fasurin

19

1 Kështu thotë Zoti: “Shko e bleje një katrovë argjile, merri disa vetë nga pleqtë e popullit e pleqtë e priftërinjve 2 dhe shko në luginën Benenom, që është në hyrje të Derës së poçarëve. Atje shpalli fjalët që unë do të t’i them. 3 Thuaj: Dëgjojeni fjalën e Zotit, mbretër të Judës e banorë të Jerusalemit! Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë po sjell mbi këtë vend një mjerim të tillë, saqë kushdo të dëgjojë për të, veshët do t’i ushtojnë. 4 Sepse ata më kanë braktisur dhe e tëhuajën këtë vend duke u kushtuar zotave të huaj, të cilët nuk i kanë njohur ata vetë as etërit e tyre as mbretërit e Judës. E kanë mbushur këtë vend me gjakun e të pafajshëmve. 5 Ndërtuan lartësira për nder të Baalit për t’i djegur si fli shkrumbimi në nder të Baalit fëmijët e vet: çka unë kurrë nuk e kam urdhëruar, as s’e kam thënë as nuk më ka shkuar nëpër mend. 6 Për këtë arsye, ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ dhe ky vend nuk do të quhet më Tofet as Lugina Benenom, por Lugina e Vrasjes. 7 Unë do ta çoj kotsynimin e Judës e të Jerusalemit në këtë vend. Do t’i bëj të sharrojnë prej shpatës ndër sy të armiqve të tyre me dorën e atyre që ua kërkojnë jetën. Kufomat e tyre do t’ua jap për ushqim shpendëve të qiellit e bishave të malit. 8 Do ta kthej këtë qytet në shkretëtirë e në tallje, kushdo të kalojë nëpër të do të mbetet shtang nga habia e do të fërshëllejë mbi të gjitha plagët e tij. 9 Do t’i bëj të hanë mishin e bijve e të bijave të veta. Njëri‑tjetrin do ta hanë gjatë rrethimit e ngushticës, në të cilën do t’i mbyllin armiqtë e tyre dhe ata që kërkojnë t’ua marrin jetën.

10 Atëherë thyeje katrovën në sytë e atyre burrave që do të vijnë me ty 11 e thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kështu do ta thyej këtë popull e këtë qytet, siç po thyhet ena e poçarit që më s’mund të ndreqet. Asohere edhe në Tofet do të varrosen, sepse s’do të ketë tjetër vend për të varrosur. 12 Kështu do t’i bëj këtij vendi ‑ thotë Zoti ‑ dhe banorëve të tij. Këtë qytet do ta bëj të ngjashëm me Tofetin: 13 Shtëpitë e Jerusalemit e shtëpitë e mbretërve të Judës do të jenë të papastërta porsi Tofeti: të gjitha shtëpitë, mbi pullazet e të cilave iu kushtua kem mbarë ushtrisë qiellore dhe u njomën fli njomjeje hyjnive të huaja”.

14 Kur Jeremia u kthye nga Tofeti, ku e kishte dërguar Zoti të profetizojë, zuri vend në tremen e Shtëpisë së Zotit dhe i tha mbarë popullit: 15 ”Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë do të sjell mbi këtë qytet e mbi qytezat e tij të gjitha të këqijat, me të cilat i jam kërcënuar, sepse ngurën zverkun e vet e nuk i dëgjuan fjalët e mia”.

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Vjetër > Jeremia > Vegshi i thyer dhe rragatja me Fasurin