
Kapitujt

Marku: 2. Shërimi i të pikuarit
21 Pas disa ditësh Jezusi u kthye përsëri në Kafarnaum. Kur u mor vesh se gjendej në shtëpi, 2 u mblodhën aq shumë njerëz, sa që s’kishte më vend as para dere. Jezusi u predikonte Ungjillin. 3 Ndërkaq ia behën disa njerëz, të cilët po sillnin tek ai një të pikuar që po e mbartnin katër vetë. 4 E, pasi prej turmës së njerëzve nuk mund ta shtinin brenda tek ai, zbuluan pullazin në atë vend ku gjendej Jezusi dhe, nëpër vrimë, e lëshuan vigun në të cilin ishte i shtrirë i pikuari. 5 Jezusi, duke parë fenë e tyre, i thotë të paralizuarit:
“Biro, të janë falur mëkatet!”
6 Aty po rrinin disa skribë. Këta zunë të mendojnë në zemrat e veta. 7 “Ç’po flet ky kështu? Po blasfemon! Kush mund të falë mëkatet përveç një Hyji të vetëm?” 8 Jezusi në shpirtin e vet e hetoi menjëherë se ata po mendonin ashtu në vete, andaj u tha:
9 “Pse po mendoni ashtu në zemrat tuaja? Çka është më lehtë? T’i thuhet të paralizuarit: ‘Të janë falur mëkatet’, apo t’i thuhet: ‘Çohu, merre vigun tënd dhe ec!?’ 10 Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë: 11 Unë po të urdhëroj ‑ i tha të paralizuarit ‑ Çohu, merre shtrojën tënde dhe shko në shtëpinë tënde!”
12 Aty për aty i paralizuari u çua në këmbë, mori shtrojën dhe, në praninë e të gjithëve, doli përjashta. Të gjithë mbetën shtang nga habia. I dhanë lavdi Hyjit e thoshin:
“Një gjë të tillë s’e pamë kurrë!”
Thirrja e Levit
(Mt 9, 9‑13; Lk 5, 27‑32)
13 Jezusi përsëri doli në breg të detit. Populli mbarë shkonte tek ai e Jezusi e mësonte. 14 Duke kaluar andej, pa Levin e Alfeut. Ishte në vendin e pagimit të taksave. Jezusi i tha:
“Eja pas meje!”
Ai u çua dhe shkoi pas tij.
15 Kur, më vonë, Jezusi ishte në tryezë, në shtëpinë e Levit, bashkë me të e me nxënësit e tij ishin ulur në tryezë tagrambledhës e mëkatarë. Vërtet ishin shumë. E ndiqnin edhe 16 disa skribë të sektit të farisenjve. Këta, kur e panë se po hante me tagrambledhës e me mëkatarë, u thanë nxënësve të tij:
“Pse ha me tagrambledhës e me mëkatarë?”
17 Jezusi, kur i dëgjoi, tha:
“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve. Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët.”
Diskutim mbi agjërimin
(Mt 9, 14‑17; Lk 5, 33‑39)
18 Nxënësit e Gjonit dhe farisenjtë agjëronin. Erdhën disa dhe i thanë:
“Pse nxënësit e Gjonit e të farisenjve agjërojnë e nxënësit e tu nuk agjërojnë?”
19 Jezusi u përgjigj:
“A thua mund të agjërojnë dasmorët derisa është me ta dhëndri? Për aq kohë sa është dhëndri me ta s’mund të agjërojnë! 20 Do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë ata, atë ditë, do të agjërojnë!
21 Askush nuk e qep arnën e tirkut të pashkelur në petk të vjetër; përndryshe arna e tirkut të pashkelur e shqyen petkun e vjetër dhe e shqyerja bëhet më e madhe.
22 Askush nuk e qet verën e re në rrëshiqa të vjetër; përndryshe vera e re i shqyen rrëshiqat: vera derdhet e rrëshiqat prishen. Porse vera e re ‑ në rrëshiqa të rinj.”
Shkokëlim kallinjësh të shtunën
(Mt 12, 1‑8; Lk 6, 1‑5)
23 Një të shtunë Jezusi po kalonte nëpër të mbjella. Nxënësit e tij, duke udhëtuar, filluan të këpusin kallinj. 24 Farisenjtë atëherë po i thonë:
“Shih! Pse po bëjnë atë që s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”
25 Jezusi u përgjigj:
“A s’ju ka rënë kurrë të lexoni ç’bëri Davidi kur pati nevojë, atëherë kur u urit ai e përcjellësit e tij? 26 Se si, kur ishte kryeprift Abiatari, hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngri bukët e kushtuara, të cilat s’guxon t’i hajë askush përveç priftërinjve? Madje, ai u dha edhe përcjellësve të vet!”
27 Atëherë u thoshte edhe këtë:
“E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. 28 Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës!”

Kapitujt
