Kapitujt

Amosi: 2. Moabi

2

1 Kështu thotë Zoti:

”Për tri keqbërjet e Moabit

e për katër

s’do ta kthej prapa vendimin:

Pse i dogji eshtrat e mbretit të Edomit

derisa ia bëri hi,

2 do ta çoj zjarrin në Moab,

do t’ia përpijë Kariotit pallatet,

do të mbarojë në kryengritje Moabi,

në britma lufte, në zë të borisë!

3 Do të bëj të zhduket prej tij gjyqtari,

do t’i vras me të të gjithë të parët e tij!”,

‑ është fjala e Zotit.

Juda

4 Kështu thotë Zoti:

“Për tri keqbërjet e Judës

e për katër

s’do ta kthej prapa vendimin:

pse e lanë Ligjin e Zotit

e s’ia mbajtën urdhërimet

‑ mendjen ua morën idhujt e tyre ‑

pas të cilëve u shkuan etërit:

5 do ta çoj zjarrin në Jude,

Jerusalemit t’ia përpijë pallatet!”

Izraeli

6 Kështu thotë Zoti:

“Për tri keqbërje të Izraelit

e për katër

s’do ta kthej prapa vendimin:

pse e shitën për argjend të drejtin

e skamnorin për një palë sandale,

7 pse shkelin mbi kokë të skamnorëve

porsi mbi pluhurin e tokës,

e bëjnë të lënë udhën njerëzit e vegjël,

pse djalë e babë flejnë me të njëjtën vajzë,

për ta dhunuar emrin tim të shenjtë;

8 pse mbi petka peng të marra

shtrihen përbri të çdo lteri,

e pinë verën marrë për dënim

në shtëpinë e Hyjit të vet.

9 Para tyre unë e kisha

shfarosur Amorreun

të gjatë si cedrat për lartësi

të fortë si lisat për fuqi:

ua zhduka në ta frutat

edhe rrënjët për nën ta.

10 Unë ju nxora nga dheu i Egjiptit

u priva nëpër shkretëtirë

gjatë dyzet vjetëve

për të pronësuar dheun e Amorreut.

11 Ngrita profetë prej bijve tuaj

e nazirenj prej të rinjve tuaj.

Pse a s’është kështu, bij të Izraelit?”,

‑ është fjala e Zotit.

12 I bëtë përdhunë verë të pinë nazirenjtë

e profetëve u urdhëruat:

‘Mos profetizoni!’

13 Mirë, pra, përtokë do t’ju shtrydh

siç shtrydh qerrja

me sanë e ngarkuar;

14 i shpejti s’do të mund të ikë,

të fortit gjë s’do t’i vlejë fuqia,

s’do ta shpëtojë veten i fuqishmi;

15 shigjetari s’do të mund të qëndrojë,

këmbëshpejti nuk do të shpëtojë,

kalorësi s’do të shpëtojë jetën

16 më zemraku ndër trima trimash

lakuriq atë ditë do të ikë!”

‑ thotë Zotynë.

Kapitujt

Kapitujt