Kapitujt

Predikuesi: 1. Hyrje

1

1 Fjalët e Kishtarit, të birit të Davidit,

mbretit të Jerusalemit.

2 Kotësi mbi kotësi, thotë Kishtari,

kotësi mbi kotësi e gjithçka është kotësi!

3 Ç’fitesë ka njeriu prej të gjithë punës

që bën nën diell?

PJESA I

Parathënie

4 Një brezni kalon, një tjetër brezni vjen,

kurse toka mbetet gjithmonë e njëjta.

5 Dielli lind, dielli perëndon

e mezi ç’pret të mbërrijë në vendin e vet

nga prapë lind!

6 Era merr drejtimin e mesditës, kthehet në perëndim,

fryn duke u endur gjithkah në lëvizje

dhe kthehet në vorbullat e veta.

7 Të gjithë lumenjtë rrjedhin drejt detit e deti nuk mbushet,

dhe, në vendet nga dalin, atje lumenjtë kthehen

në rrjedhën e vet.

8 Gjithçka është e mërzitshme

dhe s’ka njeri që mund t’ia shtjellojë pse-në.

S’ngihet syri me të parë

as s’mbushet veshi me të dëgjuar.

9 Çka qe

është tani e do të jetë pastaj.

Çka ka qenë bërë

është tani e do të bëhet pastaj:

10 s’ka asgjë të re nën diell!

Nëse thuhet për një gjësend: “Ja, kjo është e re!”,

‑ ajo ishte shekuj me radhë para nesh!

11 S’ka kujtim për kohët e shkuara,

po gjithashtu s’do të ketë kujtim

as për gjërat që do të vijnë

tek ata që do të jenë pas tyre.

 

1. Jeta e Salomonit

12 Unë, Kishtari, isha mbret i Izraelit në Jerusalem,

13 dhe vendosa në shpirtin tim të kërkoj me anë të urtisë e të shqyrtoj gjithçka ndodh nën diell. Oh po, është kjo një detyrë tepër e mërzitshme që Hyji ua dha bijve të njerëzve që të merren me të! 14 I pashë të gjitha që ndodhin nën diell: dhe, ja, të gjitha janë kotësi e mundim i kotë!

15 Çka është e shtrembër, e drejtë nuk ka si të bëhet,

dhe çka s’është, s’ka si të numërohet!

16 Atëherë i thashë vetvetes: “Ja, unë ia dola ta madhëroj e ta bëj të përparojë urtia më tepër se të gjithë ata që kanë qenë para meje në Jerusalem”. 17 Atëherë u dhashë me ngulm për ta njohur urtinë e dijen, çmendurinë dhe marrëzirën, dhe gjeta se edhe në këtë gjë është mund i kotë i shpirtit, sepse:

18 në shumë urti ka shumë vuajtje

e kush e shton dijen, shton edhe dhimbjet.

Kapitujt

Kapitujt