Kapitujt

1 e Gjonit: 2. Krishti, mbrojtësi ynë

2

1 Fëmijëzit e mi, po jua shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati – Jezu Krishtin, Të Drejtin. 2 Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës. 3 Me këtë gjë e dimë se e njohim, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e tij. 4 Kush thotë: »Unë e njoh Atë«, por nuk i mban urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të. 5 Ai që e mban fjalën e tij, në të është vërtet dashuria e përsosur e Hyjit. Me këtë gjë e dimë se jemi në Të. 6 Kush thotë se qëndron në Të i duhet të ecë udhës nëpër të cilën eci Ai.

Urdhri i ri

7 Të dashurit e mi, nuk po ju shkruaj për një urdhër të ri, por për urdhrin e vjetër, që e patët që në fillim. Ky urdhër i vjetër është fjala që e dëgjuat. 8 Prapëseprapë ky, për të cilin po ju shkruaj, është urdhër i ri – vërtetohet në Të dhe në ju – pse errësira po kalon e drita, ajo e vërteta, po ndriçon. 9 Kush thotë: »jam në dritë«, por e urren të vëllain, ai mbetet ende në errësirë. 10 Kush e do vëllain e vet, ai është vazhdimisht në dirtë, në të s’ka asgjë që ta bëjë të gabojë. 11 Kush e urren vëllain e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di kah shkon, sepse terri ia ka verbuar sytë. 12 Po ju shkruaj, fëmijëzit e mi: »Mëkatet tuaja janë falur në fuqi të Emrit të tij!« 13 Po ju shkruaj, o etër: »E njohët Atë që është prej fillimit!« Po ju shkruaj, o të rinj: »E mundët Djallin!« 14 Ju shkrova, o fëmijëz: »E njohët Atin«, Ju shkrova, o etër: »E njohët Atë që është prej fillimit«. Ju shkrova, o të rinj: »Jeni të fortë e fjala e Hyjit është në ju dhe e mundët Djallin«. 15 Mos e doni botën as gjërat që i përkasin botës. Nëse ndokush e do botën, në të nuk është dashuria e Atit. 16 Sepse çdo gjë që është e botës: - lakmia e mishit dhe e gjakut, lakmia e syve dhe krenaria e jetës – nuk është prej Atit, por vjen prej botës. 17 Bota kalon dhe lakmia e saj, kurse mbetet në amshim ai që kryen vullnetin e Hyjit.

Antikrishti

18 Fëmijëzit e mi, është ora e fundit! Dhe, siç keni dëgjuar, Antikrishti po vjen! Tashmë erdhën shumë antikrishta: këndej e dimë se është ora e fundit. 19 Prej nesh dolën, por nuk ishin prej tanëve. Sepse, të kishin qenë prej tanëve, do të kishin qëndruar me ne, por duhej të shfaqej se jo të gjithë ishin tanët. 20 Ju keni Shugurimin prej Shpirtit Shenjt e keni edhe dijen. 21 Nuk ju shkrova pse ju nuk e dinit të vërtetën, por pse e dinit dhe pse asnjë gënjeshtër nuk vjen prej së vërtetës. 22 Kush është rrenacak në qoftë se nuk është ai që pohon se Jezusi nuk është Mesia? Antikrishti është ai, që mohon Atin e Birin. 23 Secili që mohon Birin nuk e ka as Atin. Kush pranon Birin, ka edhe Atin. 24 E ju - çka dëgjuat që prej fillimit, ajo edhe le të mbetet në ju. E nëse do të mbetet në ju çka dëgjuat që prejfillimit, edhe ju do të mbeteni në Birin dhe në Atin. 25 Dhe ky është premtimi që Ai na e bëri: jeta e pasosur. 26 Kaq ju shkrova lidhur me ata që kërkojnë t’iu gënjejnë. 27 E ju – Shugurimi që keni marrë prej tij, qëndron në ju dhe nuk keni nevojë t’iu mësojë kush, por çdo gjë ju mëson Shugurimi i tij – është e vërtetë dhe nuk është gënjeshtër – dhe, siç ju ka mësuar, qëndroni në Të.

Fëmijëzit e Hyjit

28 Tani, fëmijëzit e mi, qëndroni në Të që të jemi plot shpresë kur të shfaqet dhe të mos turpërohemi para tij në Ditën e Ardhjes së tij. 29 Nëse e dini se Ai është i drejtë e dini edhe se çdonjëri që e zbaton drejtësinë është i lindur prej tij.

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Re > 1 e Gjonit > Krishti, mbrojtësi ynë