Kapitujt

Filipianëve: 1. Uratët e Palit për filipianët

1

1 Pali dhe Timoteu, shërbëtorët e Krishtit Jezus: të gjithë shenjtërve në Krishtin Jezus që janë në Filipe me mbikqyrës dhe me diakonë:

2 paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot.

Uratët e Palit për filipianët

3 Gjithmonë, sa herë më bie ndër mend për ju, falënderoj Hyjin tim. 4 Gjithëherë e në çdo lutje që bëj, lutem me gëzim për ju të gjithë 5 për arsye të pjesëmarrjes tuaj në përhapjen e Ungjillit që prejditës së parë e deri tani. 6 Dhe jam plotësisht i bindur se Ai që në ju e filloi veprën e mirë, Ai edhe do ta kryejë deri në Ditën e Krishtit Jezus.

7 Dhe është e drejtë t’i kem këto ndjenja për ju! Për të vërtetë, unë ju mbaj në zemrën time, sepse ju të gjithë jeni pjesëtarët e hirit tim në prangat e mia, në mbrojtjen e në përforcimin e Ungjillit.

8 Po, Hyjin e kam dëshmitar se ju dua pa masë të gjithëve me dashurinë e Jezu Krishtit! 9 Dhe ja, për çka lutem: që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e në kuptim të plotë, 10 që të mund të dalloni çka është më e mirë, që të jeni të pastër si dielli dhe pa farë të mete për Ditën e Krishtit, 11 plot me fryt drejtësie që vjen nëpër Jezu Krishtin ‑ për lavdi e nder të Hyjit.

Krishti është jeta ime

12 Dëshiroj, vëllezër, ta dini këtë gjë: të vështirat që më ndodhën ndihmuan shumë më tepër në përhapjen e Ungjillit, 13 sepse në mbarë pretoriumin e gjithkund gjetiu u mor vesh se gjendem në pranga për shkak të Krishtit, 14 dhe shumica e vëllezërve, e trimëruar në Krishtin për shkak të prangave të mia, gjithnjë e më tepër merr guxim ta shpallë pa frikë fjalën.

15 Njëmend disa e predikojnë Krishtin të shtyrë prej smirës e prej rivalitetit, por disa të tjerë prej qëllimit të mirë. 16 Këta veprojnë me dashuri. E dinë se unë gjendem këtu për arsye të mbrojtjes së Ungjillit, 17 kurse ata e shpallin Krishtin të shtyrë prej rivalitetit. Qëllimet e tyre nuk janë të pastërta: mendojnë se kështu do t’i bëjnë më të vështira prangat e mia. 18 Ani, çka ndodh? asgjë tjetër veçse predikohet Krishti, qoftë për qëllime të tjera, qoftë me çiltëri. Kësaj gjëje i gëzohem dhe do t’i gëzohem! 19 Sepse e di se në saje të lutjeve tuaja dhe të ndihmës së Shpirtit të Jezu Krishtit kjo do të më vlejë për shëlbim, 20 sikurse pres me dëshirë të flaktë dhe shpresoj se nuk do të turpërohem për asgjë, porse me guximin tim të plotë ‑ si gjithmonë ashtu edhe tani ‑ Krishti do të madhërohet në trupin tim, si në jetofsha si në vdiqsha.

21 Vërtet, për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë! 22 Por në qoftë se jeta në trup më mundëson një veprimtari frytdhënëse, çka atëherë të zgjedh? Nuk po di! 23 Jam ndërdyshas: dëshiroj të shkoj e të jem me Krishtin, [sepse] kjo është gjë shumë, shumë më e mirë, 24 por të jetoj në këtë trup është më e nevojshme për ju. 25 Për tani e di se do të mbetem dhe do të rri në mesin tuaj për përparimin tuaj e në gëzim të fesë, 26 që mburrja juaj për mua në Jezu Krishtin të shtohet, kur përsëri të vij ndër ju.

27 Ju veç, jetoni në mënyrë të denjë të Ungjillit të Krishtit, që ‑ kur të vij e t’ju shoh, ose, larg prej jush ‑ kur të dëgjoj për ju, të ndiej se jeni të qëndrueshëm në një shpirt dhe se, një zemre, luftoni të gjithë së bashku për fenë e Ungjillit 28 pa farë frike të armikut. Kjo gjë është shenja paralajmëruese e dënimit të tyre dhe e shëlbimit tuaj: dhe kjo vjen prej anës së Hyjit. 29 Sepse juve Hyji ju dha hirin t’i shërbeni Krishtit jo vetëm duke besuar në Të, por edhe duke pësuar për Të, 30 duke bërë po të njëjtën luftë që patë se bëra unë dhe që dëgjoni se e bëj edhe tani.

Kapitujt

Kapitujt

Bibla Online > Besëlidhja e Re > Filipianëve > Uratët e Palit për filipianët