
Kapitujt

Romakëve: 14. Mos i gjykoni vëllezërit
141 Pranojeni në bashkësi atë që s’është mjaft i fortë në fe, por pa e qortuar për mendimet që ka. 2 Dikush mendon se mund të hajë çdo gjë, ndërsa i ligshti në fe ha vetëm barishte. 3 Ai që ha, mos ta përbuzë atë që nuk ha; por, edhe ai që nuk ha, mos ta gjykojë keq atë që ha, sepse Hyji e ka pranuar për të vetin. 4 Kush je ti që guxon ta gjykosh shërbëtorin e tjetrit? Si në qëndroftë në këmbë, si në u rrëzoftë, është puna e zotërisë së tij! Porse do të qëndrojë sepse Zoti është i zoti t’ia japë dorën, në mënyrë që të mos rrëzohet.
5 Dikush mendon se një ditë është më e rëndësishme se një tjetër, kurse për një tjetër të gjitha ditët janë të barabarta. Secili veç të jetë plotësisht i bindur për mendimin e vet! 6 Ai që e çmon një ditë më të rëndësishme se një tjetër, e bën atë gjë për dashurinë e Zotit; po edhe ai që ha, për dashurinë e Zotit ha: sepse e falënderon Hyjin. Po edhe ai që nuk ha, për dashurinë e Zotit nuk ha, dhe e falënderon Hyjin.
7 Në të vërtetë, asnjëri prej nesh nuk jeton për vete dhe asnjëri nuk vdes për vete. 8 E njëmend, nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, e nëse vdesim, vdesim për Zotin. Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim ‑ jemi të Zotit. 9 Për këtë arsye Krishti vdiq dhe u ngjall që të jetë Zotëria i të vdekurve e i të gjallëve. 10 E ti, pse e gjykon vëllain tënd? Pse ti e përbuz vëllain tënd? Të gjithë, pra, do të qëndrojmë para gjykatores së Hyjit! 11 Sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Pasha jetën time ‑ thotë Zoti ‑
para meje do të përkulet çdo gju
dhe çdo gjuhë do ta lëvdojë Hyjin!’
12 Prandaj, secili prej nesh do t’i japë llogari Hyjit për vetvete.
Mos i shkandulloni vëllezërit
13 Prandaj, mos ta gjykojmë më njëri‑tjetrin, por më mirë të vendosemi që të mos i bëhemi vëllait rast mëkati ose shkandulli. 14 E di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus: asnjë gjë nuk është në vetvete i papastër. Por një gjë është i papastër për atë që e vlerëson për të papastër. 15 Por, nëse për arsye të ngrënies së ndonjë ushqimi, trishtohet vëllai yt, ti nuk sillesh më sipas udhës së dashurisë. Mos e humb me ushqimin tënd atë për të cilin Krishti vdiq!
16 Mos bëni të shahet liria juaj! 17 Sepse Mbretëria e Hyjit nuk është çështje gjelle e pijeje, por është drejtësi, paqe dhe gëzim në Shpirtin Shenjt. 18 Kush, vërtet, i shërben kështu Krishtit, i pëlqen Hyjit dhe njerëzit e nderojnë. 19 Prandaj, të mundohemi të bëjmë të përparojë paqja e t’i japim njëri‑tjetrit shembull të mirë. 20 Mos e prish veprën e Hyjit për shkak të ushqimeve! Vërtet, të gjitha ushqimet janë të pastra, por bën keq ai që, duke ngrënë, shkandullon tjetrin. 21 Është mirë të mos hash mish e të mos pish verë e të mos hash ndonjë gjë tjetër që mund ta shkandullojë vëllain tënd. 22 Mbushmendjen tënde mbaje ti për vete para Hyjit. I lumi ai që nuk e dënon vetveten, kur vendos çka duhet zgjedhur. 23 Por ai që ha duke dyshuar a është e lejushme apo jo, e ka dënuar veten, sepse nuk vepron sipas bindjes. Çdo gjë që bëhet pa mbushmendje të fesë, është mëkat.

Kapitujt
